Rritja e subvencionit për ushqimin e studentëve nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj, mundësia për zbritje shtesë gjatë blerjes së ushqimit dhe krijimi i një shërbimi të veçantë digjital përmes aplikacionit “M.uslugi” janë propozimet që Qeveria ua ka prezantuar përfaqësuesve të parlamenteve studentore në të gjitha universitetet. Kështu bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, lidhur me politikat rinore dhe standardin studentor.
Mickoski tha se në takimin e djeshëm me përfaqësuesit studentorë, ku morën pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, si dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, u diskutua hapur për problemet me të cilat përballen studentët, kushtet në konviktet studentore dhe mundësitë për përmirësimin e standardit të tyre.
Ai theksoi se janë shqyrtuar ndarjet buxhetore për standardin studentor në vitin 2026, në krahasim me vitin 2022, duke vlerësuar se mjetet janë dyfishuar.
Sa i përket subvencionimit të ushqimit për studentët, Mickoski tha se Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit shuma mujore do të rritet nga 3.500 në 4.500 denarë. Studentët do të mund t’i shfrytëzojnë këto mjete përmes një shërbimi të veçantë në aplikacionin “M.uslugi”.
Sipas propozimit, në sistem do të përfshihen restorante, markete, restorante të specializuara për produkte të qumështit dhe operatorë të tjerë, ku studentët do të mund të blejnë ushqime dhe pije, si ujë, jogurt dhe qumësht të thartë.
“Le ta bëjmë kështu: në këtë aplikacion ‘M.uslugi’ të shtojmë shërbimin ‘M-ushqimi studentor’, përmes të cilit 3.500 denarët që merrni aktualisht në muaj do të vlejnë 4.500 denarë”, tha Mickoski.
Ai shpjegoi se sistemi do të mundësojë që mjetet të përdoren për qëllimin për të cilin janë dedikuar, përkatësisht për ushqimin e studentëve dhe jo për produkte të tjera. Për këtë, sipas tij, do të përdorej edhe inteligjenca artificiale e integruar në aplikacion.
Përveç kësaj, Qeveria do të negociojë me tregtarët që studentët të përfitojnë zbritje gjatë blerjes së ushqimit, madje edhe pasi ta kenë shpenzuar subvencionin mujor.
“Kemi përshtypjen, por edhe informacione të pjesshme, se një pjesë e madhe e përfituesve të ushqimit studentor nuk i përdorin mjetet që marrin në kartelat debitore pikërisht për ushqim, por për gjëra të tjera”, tha Mickoski.
Ai shtoi se përmes aplikacionit do të krijohet një listë me restorante, markete dhe restorante të produkteve të qumështit ku studentët do të mund të blejnë ushqime dhe pije, por jo alkool apo cigare. Zbritjet e siguruara nga tregtarët do të vazhdonin të vlejnë edhe pasi të shpenzohej subvencioni mujor.
“Edhe pasi ta shpenzoni subvencionin për ushqim studentor, zbritja të vazhdojë të vlejë deri në fund të muajit. Për shembull, nëse një restorant ofron zbritje prej 20 apo 25 për qind dhe ju e keni shpenzuar subvencionin deri më 15 të muajit, më 20 të muajit, kur uleni sërish për mëngjes me kolegët, do të paguani vetë, por në vend të 100 denarëve, me zbritjen prej 25 për qind do të paguani 75 denarë”, shpjegoi kryeministri.
Mickoski theksoi se propozimi u është prezantuar përfaqësuesve studentorë si mundësi për shqyrtim, pa kërkuar që ata të marrin menjëherë një vendim. Ata duhet të konsultohen me kolegët e tyre dhe më pas të shprehin qëndrimin për modelin e propozuar.
Ai theksoi se për realizimin e projektit do të nevojiten procedura përkatëse, përfshirë përgatitjen e zgjidhjes softuerike dhe zhvillimin e një tenderi.
Sa i përket infrastrukturës, kryeministri përmendi ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, si dhe rikonstruktimin e konviktit studentor “Stiv Naumov”, ku aktualisht qëndrojnë afro 1.150 studentë.
Mickoski paralajmëroi se deri në fund të vitit duhet të vihet në përdorim edhe konvikti i rikonstruktuar “Kuzman Josifovski-Pitu”. Ai rikujtoi gjithashtu se është miratuar një ligj me të cilin ka nisur rikonstruktimi i tetë konvikteve të nxënësve dhe studentëve në vend.
Kryeministri vlerësoi se standardi studentor ende nuk është në nivelin e kushteve që kanë studentët në disa vende evropiane, por dallimi është duke u zvogëluar.
“A është më i miri? Jo, nuk është më i miri. A kanë ndoshta kolegët e tyre në Gjermani kushte më të mira? Me shumë gjasë, po. Por a është zvogëluar ky dallim? Po, edhe këtë do ta them. Kjo është thelbësore. A jetohet vështirë? Jetohet vështirë. A është i vështirë jeta studentore? Po, është e vështirë. Por a është më mirë krahasuar me tre, katër apo pesë vjet më parë? Është më mirë. Kjo është thelbi i punës së çdo qeverie”, tha Mickoski.
Ai shtoi se edhe në të ardhmen studentët në Gjermani ka të ngjarë të kenë kushte më të mira, por, sipas tij, dallimi me studentët në vend po zvogëlohet.
Mickoski theksoi se përmirësimi i kushteve për studentët duhet të shoqërohet edhe me avancimin e cilësisë së arsimit të lartë. Në këtë kontekst, ai iu referua pozitës së universitetit më të vjetër maqedonas në listën e Shangait, duke vlerësuar se para dy dekadash ai renditej më mirë se sot.
Kryeministri bëri thirrje për angazhim të përbashkët për përmirësimin e pozitës së universiteteve, duke theksuar se kjo do të kontribuonte në rritjen e njohurive të studentëve dhe në përmirësimin e imazhit të shtetit.
