Fushata për Bërvenicën “hyri” në Kuvend! Mickoski: Bëra thirrje të votohet sipas bindjes personale, e jo mbi baza etnike

TË FUNDIT

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Bërvenicë ishte tema që deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi Zejdi, e ngriti në seancën për pyetje të deputetëve. Ai e akuzoi kryeministrin Mickoski se po i shkel të drejtat e shqiptarëve, duke përcjellë mesazhe gjatë fushatës se ai do të zgjedhë cilëndo parti politike shqiptare si partnere të koalicionit, e jo atë që ka fituar në zgjedhje. Me këtë, jo vetëm në Bërvenicë, por edhe në komuna të tjera do të nisë procesi i ndryshimit të rendit kushtetues, përkatësisht federalizimi i shtetit, theksoi Rexhepi.

“Pra, thonë se Qeveria, në krye me kryeministrin, po i shkel të drejtat e tyre etnike dhe kombëtare. Dhe vazhdojmë më tej. Kryeministri ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare i mjaftojnë 61 deputetë dhe ai do të zgjedhë cilindo partner shqiptar që dëshiron, pa e vlerësuar votën e votuesve shqiptarë. Kam frikë dhe jam i bindur se, sipas të gjithë këtyre parametrave që dihen, këto komuna do të jenë nismëtare të ndryshimit të rendit kushtetues, përmes një asociacioni komunash, një bashkimi komunash dhe ridefinimit të shtetit mbi bazën e federalizimit”, tha Skender Rexhepi

Kryeministri Mickoski vlerësoi se kjo çështje e ngritur prej tij ka prapavijë politike, por theksoi se mesazhi që ai ka përcjellë gjatë fushatës ishte që votuesit të votojnë sipas bindjes së tyre, ndërsa persona nga koalicioni VLEN kanë bërë thirrje për votim mbi baza etnike.


“Mesazhi im ishte: do të duan t’ju ndajnë mbi baza etnike, mos lejoni që kjo të ndodhë. Këtë e kanë bërë që nga dita e parë, mos lejoni, sepse ju përsëri do të hyni edhe në xhami, edhe në kishë. Përsëri do të jeni pranë njëri-tjetrit. Ata do të largohen. Për ta, kjo është një fije shpëtimi për karrierën e tyre politike, ndërsa për ju është gjithçka. Ju lutem, mos lejoni që t’ju ndajnë, por dilni dhe votoni ashtu siç mendoni se duhet të votoni. Për atë që mendoni se është më i mirë”, tha Mikoski

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës duhet të mbahet të dielën, më 1 nëntor. Në këto zgjedhje do të përballen kandidati i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, Stojanço Radiçevski, dhe kandidati i BDI-së, Arkin Jahiji.