Janë gjetur dhe nxjerrë mbi 1.700 granata në Manastir! Angellov: Kujdes, edhe pse janë të vjetra, mbeten të rrezikshme!

TË FUNDIT

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se në të ashtuquajturën kodrën Tumbe Kafe në Manastir, janë gjetur dhe nxjerrë mbi 1.700 granata, përcjell TV21. Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov thotë se qytetarët duhet të paraqesin rastet e këtilla, pasi pavarësisht se granatat janë të vjetra, të njëjtat janë të rrezikshme, respektivisht mund të jenë vdekjeprurëse.

“Një apel për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa marrë parasysh moshën: nëse hasin në një objekt që i ngjan një bombe, në një granatë apo në çdo predhë nga çfarëdo lufte, të telefonojnë menjëherë në numrin 112. Nga aty do të njoftohet Drejtoria dhe ekspertët tanë do të shkojnë në vendngjarje për ta mbledhur pajisjen vdekjeprurëse, e cila më pas do të shkatërrohet në mënyrë të sigurt. Duhet të theksoj se, edhe pse mund të duken të vjetra dhe të ndryshkura, këto bomba dhe granata në kutitë pas meje janë jashtëzakonisht vdekjeprurëse. Ato mund të aktivizohen nga një rënie, një goditje në tokë ose në beton, dhe veçanërisht nëse kapen nga zjarri”, deklaroi Angellov.