I dyshuar për vrasje në Maqedoni, shtetasi turk arrestohet në pikën kufitare në Morinë

TË FUNDIT

Një 31-vjeçar, shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Maqedoninë e Veriut, është arrestuar nga Policia Kufitare në Morinë, teksa tentonte të hynte në Shqipëri.

Në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasit me inicialet B. K., banues në Turqi.

Pas verifikimeve, autoritetet konstatuan se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për përfshirje në një vrasje. Kërkimi ndaj tij ishte bazuar në një vendim të datës 27 tetor 2026, të lëshuar nga Zyra e Prokurorisë Publike në Shkup.

Pas arrestimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës kanë kryer procedurat përkatëse me qëllim ekstradimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe në Maqedoninë e Veriut, po vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.