Premtime për fitime të shpejta dhe të sigurta, një platformë e rreme investimi dhe qindra qytetarë të dëmtuar financiarisht. Ky është skenari i një mashtrimi online që, sipas Policisë, është zhvilluar nga dhjetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka ngritur kallëzim penal ndaj një 56-vjeçareje me iniciale M.K nga Manastiri dhe një 38-vjeçari me iniciale A.S. nga Estonia, nën dyshimin për veprën penale “mashtrim”.
Sipas MPB-së, përmes një aplikacioni mobil dhe një kanali me disa qindra abonentë, qytetarët joshnin me premtime për fitime që në fakt nuk realizoheshin. Ata bindeshin të investonin para në një platformë të rreme në internet, duke pësuar dëme të konsiderueshme financiare.
“Në periudhën nga dhjetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026, përmes një aplikacioni mobil dhe një kanali me disa qindra abonentë, me premtime për fitime të supozuara që nuk u realizuan asnjëherë, kanë bindur një numër të madh qytetarësh nga i gjithë vendi të investojnë para në një platformë të rreme online, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare”, thonë nga MPB.
Deri më tani, në polici janë paraqitur pesë qytetarë të dëmtuar, por hetimet financiare kanë zbuluar se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh.
