Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar një aksion kontrollues ndaj automjeteve transportuese në të gjithë vendin, me ç’rast janë konstatuar dhjetëra parregullsi dhe 25 automjete janë përjashtuar nga komunikacioni, përcjell TV21. Kontrolli është zhvilluar më 28 tetor, nga ora 09:00 deri në 14:00, nga Sektori për Çështje të Komunikacionit në kuadër të MPB-së.
Gjatë aksionit janë kontrolluar gjithsej 781 automjete, ndërsa 92 prej tyre janë dërguar për kontroll teknik. Janë konstatuar 101 parregullsi, për të cilat 25 automjete transportuese janë ndaluar të qarkullojnë.
Kontrollet kanë qenë të fokusuara në zbulimin e mbingarkesës së automjeteve, vendosjes dhe sigurimit jo të duhur të ngarkesës, defekteve teknike, transportit të palejuar të personave, si dhe automjeteve që dalin nga rrugët e paasfaltuara dhe kantieret e ndërtimit duke ndotur rrugët me baltë.
Gjatë aksionit janë evidentuar edhe tri raste të veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Përveç tyre, janë konstatuar edhe 219 kundërvajtje të tjera, për të cilat janë ndërmarrë masa përkatëse ligjore.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se kontrollet e këtilla do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, ndërsa u bëjnë thirrje shoferëve dhe transportuesve të respektojnë rregullat e komunikacionit, të kujdesen për rregullsinë teknike të automjeteve dhe të sigurojnë siç duhet ngarkesën.
