Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj gjashtë personave nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova, nën dyshimin se kanë organizuar dhe realizuar adoptim të paligjshëm të një foshnjeje të porsalindur, duke i bindur prindërit të heqin dorë nga fëmija në këmbim të ndihmës financiare dhe përfitimeve të tjera.
Sipas MPB-së, kallëzimi penal është dorëzuar kundër F.A. (63), Gj.K. (57), I.Sh. (35) dhe Xh.Sh. (35) nga Shkupi, si dhe kundër S.J. (35) nga Kumanova dhe I.A. (38) nga Tetova, për veprën penale “trafikim me fëmijë”.
Hetimet tregojnë se gjatë viteve 2024 dhe 2025, F.A. dhe Gj.K. kanë organizuar adoptimin e paligjshëm të një foshnjeje. F.A., duke shfrytëzuar pozitën e saj si kujdestare e fëmijëve, krijonte kontakte me çifte të interesuara për të marrë fëmijë, ndërsa Gj.K. kontaktonte prindër që ndodheshin në gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike, duke i bindur të dorëzonin foshnjat e tyre kundrejt pagesës dhe përfitimeve të tjera.
Në rastin konkret, ato kanë bindur S.J., e cila jetonte në bashkësi jashtëmartesore me I.A., që të japë foshnjën e tyre për birësim të paligjshëm në këmbim të 500 eurove ndihmë financiare dhe kontrolleve gjinekologjike falas.
Pas daljes nga spitali, S.J. dhe foshnja u morën nga F.A. dhe u dërguan në shtëpinë e saj, ku më pas mbërritën I.Sh. dhe Xh.Sh., të cilët në cilësinë e “birësuesve” e morën foshnjën dhe e dërguan në shtëpinë e tyre.
Hetimi ka konstatuar se më 17 tetor 2025 ishte lidhur një kontratë huaje prej 500 eurosh ndërmjet Xh.Sh. si huadhënës dhe I.A. si huamarrës, ndërsa paratë i ishin dorëzuar po atë ditë I.A.-së. Sipas MPB-së, kjo shumë përfaqësonte kompensim për birësimin e paligjshëm të foshnjës.
Me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
