Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se vendi i tij është i përgatitur të rifillojë luftën kundër Iranit dhe të ndërmarrë sulme të gjera ndaj infrastrukturës së tij.
Sipas tij, ushtria izraelite është në pritje të “dritës jeshile” nga Shtetet e Bashkuara për një ofensivë të re, duke theksuar se objektivi është goditja e strukturave kryesore të pushtetit në Iran.
Katz paralajmëroi se një sulm i mundshëm do të jetë “ndryshe dhe shumë më vdekjeprurës”, duke shtuar se do të përfshijë goditje të rënda ndaj infrastrukturës energjetike dhe ekonomike të vendit.
“Sulmi këtë herë do të jetë i ndryshëm dhe vdekjeprurës dhe do të shtojë goditje shkatërruese në vendet më të ndjeshme, që do të trondisin dhe dobësojnë themelet e tij”, u shpreh ai.
Deklaratat e tij pasojnë retorikën e mëparshme të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se Irani mund të përballej me pasoja të rënda nëse nuk arrihej një marrëveshje e pranueshme për t’i dhënë fund konfliktit.
