Institucionet do ta caktojnë ndihmën për Ukrainë! Xhaferi kërkon që të sillet deklarata për krimet në Ukrainë

TË FUNDIT

Për ndihmën për Ukrainë që e premtoi kryeparlamentari Talat Xhaferi gjatë vizitës së tij në Ukrainë, duhet të vendosin institucionet, tha ai pas kthimit nga atje. Sqaroi se Ukrainës do t’i ofrohet ndihmë e ndryshme nga Maqedonia varësisht nga nevojat që do t’i caktojnë institucionet, dhe nëse ka nevojë, edhe ndihmë ushtarake.

“Gatishmëria për përkrahje në çfarëdolloj aspekti nuk është vetëm qëndrim i kryetarit të Kuvendit, por bëhet fjalë për obligimet e shtetit në suaza të masave të ndërmarra nga ana jonë, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për BE, prej atje dalin këto obligime. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht, do të njoftojnë institucionet përkatëse. Patjetër, si vend anëtar i NATO-s, gjithsesi këtu nënkuptohet edhe ndihma dhe përkrahja ushtarake”, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Nga Qeveria për TV21 thonë se nëse ka vendim të ri për ndihmë për Ukrainën, i njëjti do të publikohet, ndërsa nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, me qëndrim se ndihma ndaj këtij vendi është në pajtueshmëri me mundësitë tona dhe nevojat e NATO-s.

“Për ndihmën të cilën deri më tani e ka siguruar Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tashmë opinioni publik është njoftuar, njëkohësisht për secilin vendim të ri në lidhje me këtë çështje, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

“Ndihma për Ukrainën të cilën e ofron Maqedonia e Veriut, e njëjta në mënyrë të rregullt dërgohet në pajtueshmëri me kapacitetet dhe planet tona dhe në koordinim me aleatët tanë të NATO-s”, thonë nga kabineti i Presidentit të RMV-së.

Xhaferi kërkoi që edhe shtëpia ligjvënëse të deklarohet për krimet që po ndodhin në Ukrainë, përmes Deklaratës së Kuvendit.

“Mendoj se si Kuvend duhet të mendojmë për t’i definuar ngjarjet në Ukrainë në lidhje me krimet e bëra atje, patjetër se do të jemi në koordinim me faktorët tjerë në shtet, që të iniciohet një deklaratë e tillë në Kuvend”, tha Xhaferi.

Xhaferi në Ukrainë ishte me ftesë të Kuvendit të Ukrainës, së bashku me kryeparlamentarët e Zvicrës dhe Rumanisë. Në Kiev u takua me presidentin ukrainas Vollodomir Zelenski dhe me homologun e tij ukrainas, Ruslan Stefançuk.