Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut: Humbës i trefishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

TË FUNDIT

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në Facebook ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime. Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë. Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet. Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.

“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK. Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente: Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi. Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.

“Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet. Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka shkruar tutje Bajrami.