Populisti i ekstremit të djathtë dhe anti-islamiku Geert Wilders pritet të nisë sot bisedimet për gjetjen e aleatëve për formimin e qeverisë së re në Holandë, pas fitores së thellë në zgjedhje, e cila pritet të ketë pasoja jo vetëm në vend, por në gjithë Europën.
Geert Wilders, kundërshtar i Bashkimit Europian dhe mbështetës i kryeministrit hungazez Viktor Orban është zotuar të ndalojë emigracionin dhe të bllokojë zgjerimin e Bashkimit Evropian, përfshirë hyrjen në bllok të Ukrainës.Ndërsa janë numëruar 98 për qind të votave, forca e tij politike, Partia e Lirisë ka marrë 37 nga 150 vendet në parlament, duke lënë pas koalicionin rival mes laburistëve dhe të majtës me 25 vende, dhe partinë e kryeminsitrit në largim Mark Rutte me 24 vende.
Progami qeverisës i zotit Wilders parashikonte mbajtjen e një referendumi për daljen e Holandës nga Bashkimi Europian, refuzimin e plotë të azilkërkuesve dhe ndalimin e migrantëve në kufijtë holandez.Programi po ashtu mbështet “çislamizimin” e Holandës. Zoti Wilders thotë se nuk do që në vend të ketë xhami dhe shkolla islamike, edhe pse gjatë fushatës së fundit qëndrimet e tij ndaj Islamit kanë qenë më të buta se në fushatat e shkuara.Rezultati i zgjedhjeve pritet të trondisë Europën, e cila po përballet me rritje të ideologjisë e ekstremit të djathtë.Nga Sllovakia, në Spanjë, në Gjermani dhe Poloni, populistë dhe parti të ekstremit të djathtë shënuan fitore ose lëkundën disa vende të Bashkimit Europian.Këtë të martë, një zëdhënës i Bashkimit Europian tha se rezultatet e zgjedhjeve në Holandë nuk vënë në pikëpyetje anëtarësinë e Holandës në Bashkimin Europian.“Vazhdojmë të besojmë në praninë e fortë të Holandës në Bashkimin Europian”, tha ai.