Rritet në pesë numri i të prekurve nga fruthi në Maqedoni, Klekovski paralajmëron për rrezikun e lartë të infektimit

TË FUNDIT

Edhe një rast i fruthit është konfirmuar në Maqedoni, me çka numri i të infektuarve është rritur në pesë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Deri më tani, sëmundja është konfirmuar te gjithsej tri foshnja, një burrë 45-vjeçar dhe një shtetas i Kosovës. Klekovski tha se ekziston një lidhje paraprake mes rastit të shtetasit të huaj dhe tri rasteve te shtetasit e Maqedonisë, por se pritet analiza epidemiologjike nga Instituti i Shëndetit Publik që kjo të konfirmohet edhe zyrtarisht. Klekovski paralajmëroi se fruthi është ndër sëmundjet virale më ngjitëse dhe se virusi mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë. Prandaj, qytetarët që vërejnë simptoma të sëmundjes duhet të kontaktojnë mjekun e tyre përmes telefonit, në vend që të shkojnë drejtpërdrejt në një institucion shëndetësor dhe t’i ekspozojnë pacientët e tjerë ndaj rrezikut.

“Thirrja për vaksinim bëhet për t’i mbrojtur ata që nuk mund të vaksinohen, pra foshnjat deri në moshën 12 muajshe, të cilat nuk mund ta marrin vaksinën. Kjo do të thotë se vazhdimisht kemi një grup prej rreth 15 mijë foshnjash që janë në një rrezik të caktuar. Natyrisht, në rrezik është edhe popullata më e rritur që nuk është e vaksinuar”, deklaroi Klekovski, ministër i Shëndetësisë.