Grenell “merr në pyetje” Ramën: Nga zhgënjimi i BE për negociatat deri tek shpallja “non grata” e Berishës

TË FUNDIT

Kryeministri Edi Ram ka komentuar zhvillimet e fundit nga Brukseli sa i përket anëtarësimit të vendit në BE në programin “Wake Up America”. Kreu i qeverisë ka marrë një sërë pyetjesh nga ish ish-i dërguar i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

I pyetur nga Grenell rreth vendimit të marrë nga BE për mos çeljen e negociatave, Rama tha se është trishtues fakti që të 27 shtetet janë dakord që Shqipëria i ka plotësuar kriteret, por hapje negociatash nuk ka.

Kryeministri tha po ashtu, se tashmë Shqipëria po mësohet me idenë që BE po dështon me mbajtjen e premtimeve.

“Është trishtuese sepse nga njëra anë thonë që i kemi plotësuar kushtet, dhe nga ana tjetër, KE nuk ka mundësi që të marrë një vendim. Sigurisht që kjo ka të bëjë me disa probleme me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, por sërish për ne është frustruese dhe njëkohësisht tregon shumë sepse gjëja e keqe është që po mësohemi që BE po dështon herë pas here që të mbajë premtimet.”

Richard Grenell e pyeti Ramën edhe për iniciativën e mini-Shengenit dhe ecurinë e saj deri më tani.

“Ti kishe një kontribut të rëndësishëm duke treguar me shembuj që është e mundshme, dhe ka një çështje të pa zgjidhur të mos njohjes nga Kosova. Është e mundshme që të përmirësohen jetët e njerëzve. Dhe të punojmë së bashku, për të përmirësuar tregtinë, lirinë e lëvizjes, kapitaleve… Kjo është ajo që nga ana ime po bëj prej vitesh tashmë…”

Po ashtu, ish-i dërguar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, e pyeti kryeministrin për vendimin e DASH për ta shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha “non grata”.

Edi Rama u përgjigj që kjo lëvizje tregon interesin e madh të SHBA që të ecë përpara reforma në Drejtësi, por edhe një mesazh që askush nuk është mbi ligjin.

“Është na një anë shumë e trishtueshme që të shohësh këtë realitet që po vuloset nga një lëvizje e guximshme nga ana e DASH, por nga ana tjetër, është një sinjal që përpjekjet e vazhdueshme të qeverive amerikane për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe  ka arritur pikën ku s’ka më kthim. Por, edhe një njoftim i rëndësishëm për mbarimin e tranzicionit e nocionit që askush nuk qëndron mbi ligjin.”/ABN