SHBA do të ushtrojë presion për zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shprehet ish shefi i Shërbimit kombëtar bullgar të inteligjencës, gjenerali Dimo Gjurov.
Në deklaratën për TV Nova, Gjurovi ka thënë se administrata e re e presidentit amerikan, Xho Bajden dhe Partisë Demokratike janë të interesuar për zhvillim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfshirjes së tyre drejt Evropës Perëndimore dhe prandaj mund të pritet presion nga Uashingtoni për zgjidhjen e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit.
“Për shkak kësaj, ne duhet ta argumentojmë pozicionin tonë pasi amerikanët kuptojnë argumente dhe pozicion të qartë dhe ajo detyrë është në duart e diplomacisë bullgare”, ka thënë tutje Gjurov.
Ish shefi bullgar i zbulimit pret presion nga SHBA edhe për projektet energjetike në Bullgari ku është e përfshirë edhe Rusia, veçmas të transitit me gaz si dhe ndalimit të projektit për ndërtimin e centralit bërthamor Belene.
