Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje parimore për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Sipas Gjuriqit, ky hap do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndaj këtij njoftimi ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ka shprehur kundërshtim për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, përcjell TV21. Ai ka vlerësuar se një hap i tillë “do të ishte i gabuar në planin strategjik”, duke argumentuar se nuk pasqyron realitetin historik dhe demografik të zonës. Bushati ka kritikuar gjithashtu politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe pakicave në rajon.
“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë. Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, ka shkruar Bushati.
