Revizioni zbulon mangësi në Fondin Shëndetësor: Dobësi në kontrolle, financim dhe sistemin informativ

TË FUNDIT

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Fondi për Sigurim Shëndetësor vazhdon të përballet me probleme serioze në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore, financimin dhe funksionimin e sistemit informativ, përcjell TV21. Për vitin 2024, revizorët kanë dhënë opinion me rezerva për pasqyrat financiare dhe për respektimin e rregullave ligjore. Sipas raportit, pagesat e vonuara të kontributeve nga institucionet shtetërore kanë ndikuar në likuiditetin e Fondit.

Deri në fund të shkurtit 2026, borxhi i papaguar nga Fondi i Sigurimit Pensional ka arritur në rreth 137 milionë euro, ndërsa Ministria e Shëndetësisë i detyrohet edhe 35 milionë euro për sigurimin e personave të pasiguruar. Revizorët kanë evidentuar gjithashtu mangësi në kontrollet mbi faturimin e shërbimeve shëndetësore, funksionimin e sistemit informativ dhe prokurimet publike. Nga 44 kontrolle të kryera gjatë vitit 2024 në institucionet spitalore, pothuajse gjysma kanë zbuluar parregullsi.

Raporti thekson se modeli aktual i financimit të institucioneve publike shëndetësore nuk lidhet mjaftueshëm me numrin real të shërbimeve të ofruara. Po ashtu, shumë çmime referente për shërbimet shëndetësore nuk janë përditësuar prej më shumë se një dekade, duke mos pasqyruar kostot reale.