“Kam humbur besimin tek ty”, nënkryetari i FIFA-s sulmon Infantinon

TË FUNDIT

Presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit dhe nënkryetari i FIFA-s, Sandor Csanyi, ka kritikuar ashpër presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Sipas “The Guardian”, Csanyi i ka dërguar një letër Infantinos, në të cilën shprehet se ka humbur besimin që më parë kishte tek ai.

“Besimi im në aftësinë tuaj për të udhëhequr me sukses dhe në mënyrë efektive FIFA-n, në përputhje me vlerat e përbashkëta që më parë formonin bazën e bashkëpunimit tonë, është minuar”, shkroi Csanyi.

Në letrën e tij, zyrtari hungarez ka ngritur shqetësime për vendimet profesionale, standardet etike dhe mënyrën e udhëheqjes së Infantinos.

Kritikat e Csanyit janë të rralla dhe veçanërisht të drejtpërdrejta, duke marrë parasysh se ai është një nga nënkryetarët e FIFA-s.

Deklaratat e tij hapin një përplasje të re brenda strukturave drejtuese të futbollit botëror dhe vënë në pikëpyetje mbështetjen ndaj Infantinos nga disa prej zyrtarëve të lartë të FIFA-s.