Policia Financiare ngrit kallëzim për evazion fiskal, dëmi ndaj buxhetit arrin mbi 12.6 milionë denarë

TË FUNDIT

Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Shkup kundër dy personave dhe një kompanie, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Evazion fiskal”. Sipas autoriteteve, pronari faktik i kompanisë, shtetas turk me inicialet N.O., gjatë periudhës 2016-2021 ka ndryshuar pronësinë dhe drejtimin e kompanisë, duke e regjistruar E.M. si pronar dhe drejtues të ri.

Dyshohet se kjo është bërë për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të përvetësuar mallrat tregtare të kompanisë. Hetimet tregojnë se kompania nuk ka dorëzuar llogaritë përfundimtare për vitet 2022, 2023, 2024 dhe 2025, ndërsa mallra në vlerë mbi 32 milionë denarë janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, nuk janë llogaritur dhe paguar TVSH-ja, Tatimi mbi të Ardhurat Personale dhe Tatimi mbi Fitimin, si dhe nuk janë deklaruar detyrimet e vjetërsuara ndaj furnitorëve. Sipas Policisë Financiare, me këto veprime buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për mbi 12.6 milionë denarë, ndërsa rasti tashmë është në procedurë pranë Prokurorisë.