Franca është kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Botës, pasi mbrëmë në Filadelfia mposhti me shumë vështirësi Paraguain me rezultatin 1:0.
Golashënuesi i vetëm i takimit ishte Kylian Mbappé, i cili realizoi nga pika e bardhë në minutën e 70-të.
Ky ishte goli i shtatë i Mbappé në këtë Kupë të Botës, duke e barazuar me kapitenin argjentinas, Lionel Messi, në krye të listës së golashënuesve.
Franca në çerekfinale, më 9 korrik, do të përballet me Maroku, i cili një ditë më parë kishte mposhtur bindshëm Kanadanë, një nga vendet organizatore të turneut, me rezultatin 3:0.
Ndeshja e zhvilluar në Filadelfia ishte ndër më interesantet e këtij Botërori. Francezët hasën vështirësi të mëdha për të depërtuar mbrojtjen e organizuar të Paraguait, ndërsa kundërshtarët përdorën një taktikë të ngadalësimit të lojës, me provokime të vazhdueshme dhe ndërhyrje të ashpra.
Kjo strategji funksionoi deri në minutën e 70-të, kur Désiré Doué fitoi një penallti, të cilën Mbappé e shndërroi në gol.
Pas golit të pësuar, Paraguai nuk arriti të krijojë rrezik në sulm, duke i lënë Francës hapësira për kundërsulme. Në minutën e pestë të kohës shtesë, portieri paraguajan ndali dy tentativa të Mbappé, ndërsa minutat e fundit u karakterizuan nga tensione të mëdha dhe përplasje mes futbollistëve, duke e afruar ndeshjen në prag të një përleshjeje të përgjithshme në fushë.
