Filipçe: Menjëherë filluam bisedimet me Lonçar për detajet teknike dhe kohën e dërgesës së vaksinave nga Serbia

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sonte ishte mysafir në edicionin e lajmeve në Kanal 5, ku bëri të ditur se pas bisedës së kryeministrit Zaev dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq ku u dakorduan që Serbia t’i japë 8.000 vaksina “Fajzer”, vendit tonë, menjëherë kanë filluar bisedimet me kolegun Zllatibor Lonçar për detajet teknike dhe kohën e saktë të dërgesave të vaksinave.

“Paralajmërimi tani për tani është se ka shanse të ndodhë nesër, por do të shohim si do të shkojnë këto bisedime dhe procedurat administrative në drejtim të transportit, pritjes së vaksinave. Bëhet fjalë për vaksinën “Fajzer”, e cila së bashku me “Moderna” është e vetmja që ka të gjitha certifikatat e nevojshme nga rregullatorët më të mëdhenj, EMA evropiane dhe FDA amerikane”, tha Venko Filipçe në Kanal 5.

Por lidhur me ruajtjen e vaksinave, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe potencoi se në një frigorifer mund të ruhen afër 100 mijë vaksina.

“Në atë kuptim, frigoriferët të cilët i kemi paralajmëruar si donacion kanë arritur, kanë përfunduar procedurat administrative lidhur me doganimin. Por, edhe tani në këtë moment mund të vendosim vaksina në frigoriferët ekzistues që i kemi pasur për një qëllim tjetër nga laboratorët e Institutit të mjekësisë së transfuzionit”, shtoi Filipçe.

Ministri Filipçe gjithashtu informoi se sot kthehet në funksion reparti i oftalmologjisë pranë klinikës interne, ndërsa prej nesër edhe reparti për otorinolaringologji.