Erdogan: Putini më ka thënë se është i gatshëm t’i japë fund luftës

TË FUNDIT

Gjithçka që duam është që konflikti në Ukrainë të përfundojë në mënyrë paqësore.

Ky është qëndrimi rus sa i takon luftës në Ukrainë e sipas presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ky është një hap shumë i rëndësishëm.

Erdogan, i cili mbërriti në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha për rrjetin televiziv amerikan PBS se së fundmi është takuar me presidentin rus Vladimir Putin në Uzbekistan dhe ka pasur bisedime shumë të gjera me të.

“Dhe ai në fakt më tregoi se është i gatshëm t’i japë fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ishte përshtypja ime, sepse mënyra se si po shkojnë gjërat tani është mjaft problematike,” tha presidenti turk.

Sipas Erdogan, Turqia ka ndjekur një politikë të ekuilibruar midis Kievit dhe Moskës që kur Rusia nisi një operacion ushtarak kundër Ukrainës në shkurt dhe mbështet dëgjimin e të dyja palëve. Ai bëri të ditur gjithashtu se ka marrëveshje mes palëve ndërluftuese për shkëmbimin e 200 të burgosurve dhe sipas tij, ky do të jetë një hap i rëndësishëm përpara.

Erdogan beson gjithashtu se zgjidhja e paqes nuk duhet të lejojë Rusinë të mbajë një pjesë të territoreve që ka pushtuar në konfliktin e luftës me Ukrainën.