Ende s’ka zgjidhje për transportuesit privatë. Të hënë Këshilli i Qytetit do të kërkojë llogari tek Arsovska

TË FUNDIT

Për të pestën ditë me radhë transportuesit privat në Qytetin e Shkupit nuk po munden të gjejnë zgjidhje për paratë e tyre që ia ka borxh Ndërmarrja për Qarkullim Publik dhe Qyteti i Shkupit. Dy firmat që përfaqësojnë transportuesit privat, “Slloboda prevoz” dhe “Makekspres” në përpjekje për të gjetur zgjidhje u takuan me Këshillin e Qytetit të Shkupit. Nga takimi u ndanë të kënaqur. Thanë se nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve kanë treguar për gjendje aktuale të transportuesve.

“Na dëgjuan, na pyetën dhe ju përgjigjëm në të gjitha pyetjet që këshilltarët kishin. Shpresojmë se në seancën e ardhshme që do të mbahet të hënën në Këshillin e Qytetit e Shkupit, ata nëpërmjet pyetjeve do të kërkojnë dhe me siguri do të marrin përgjigje për të gjitha pyetjet që ne nuk po mund të marrim. Këshilli si organ i Qytetit në kuadër të kompetencave që ka do të bëj gjithçka për tejkalimin e kësaj situate”, tha Lenin Jovanovski nga “Sllobodan Prevoz”.

Trajko Sllaveski si kryetar i Këshillit të Qytetit tha se kompetencat për zgjidhjen e problemit janë te NQP-ja dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit. Shtoi se do të mundohen që nëpërmjet pyetjeve drejtuar Arsovskës të ndihmojnë sadopak për ta zgjidh problemin.

“Më shumë se kaq nuk mundemi sepse ne kemi kompetenca mbi Ndërmarrjen për Qarkullim Publik. Siç e dini para disa javëve me vendim të Këshillit, ne transferuam më shumë se 2 milionë euro për paga të ndërmarrjes. Të ketë ndonjë mënyrë që të bien nga qielli edhe 5 milionë euro tek NQP askush nuk garanton se NQP do t’i kryej detyrimet e saj kundrejt transportuesve privat, sepse ato me siguri kanë detyrime edhe kundrejt palëve tjera”, tha Trajko Sllaveski, kryetar i këshillit të Qytetit të Shkupit.

Transportuesit privat nuk do punojnë deri sa të gjendet zgjidhje për problemin. I hedhin poshtë akuzat e një dite më parë të kryetares Arsovska se gjoja kanë bërë keqpërdorime me biletat.

“Pagesa bëhet me kartela elektronike, ato kartela elektronike blihen njëherë nga udhëtarët dhe bëhet mbushja e tyre në biletaritë e NQP-Shkup e jo tek ne në autobus. Pajisjen që e kemi ne në autobus nuk e mundëson mbushjen e kartelave dhe kjo është një prej dobësive të sistemit që të mund të paguajnë qytetarët”, tha Isen Halili, transportues privat.

“Për të gjitha akuzat nga ana e kryetares ekziston evidencë e saktë elektronike dhe atë nga trupi monitorues në kuadër të Qytetit të Shkupit, nga trupi Qendra organizative kontrolluese në suaza të NQP-së dhe në qendrat dispeçere në kompanitë tona ku saktë dihet se sa kemi realizuar, sa kemi punuar”, tha Kemal Muriç, transportues privat.

Transportuesit privat nëpërmjet një proteste të qetë para NQP, kërkuan takim me drejtorin e ndërmarrjes Aleksandar Stojkovski, por ky i fundit nuk ishte i qasshëm. Qyteti i Shkupit dhe NQP transportuesve privat i kanë borxh 1,5 milion euro.