Edhe kjo verë mund të jetë e vështirë për Strugën. Kuzhinierët dhe kamerierët mësyjnë Kroacinë për shkak të rrogave

TË FUNDIT

Me shumë gjasa edhe këtë verë hotelierët në Strugë dhe Ohër do të përballen me mungesën e kuadrit profesional, e kjo për shkak të rrogave të ulëta dhe përfitimeve të tjera shtesë.

Si destinacion më të preferuar për sezonin veror, kuzhinierët dhe kamerierët e shohin bregdetin kroat, i cili ka rroga më të larta dhe benefite për të punësuarit.

Eveldina Dika, drejtoreshë e njësisë rajonale të Agjencisë për Punësim në Strugë, thotë se qytetit i mungojnë punëtorët e kualifikuar në sektorin e hotelierisë dhe personeli mjekësor.

“Pra nuk kemi kuzhinierë, nuk kemi kamerierë të kualifikuar, nuk kemi asistentë kuzhine. Nga ana tjetër nuk kemi as farmacistë, teknikë, laborantë, nuk kemi infermierë, nuk kemi as mjekë. Me sa shoh në media nuk ka mjekë. Lirisht mund të konfirmoj se nuk kemi as mjekë, ose janë në specializim, ose janë jashtë vendit”, tha Evledina Dika, drejtoreshë e njësisë rajonale të Agjencisë për Punësim në Strugë.

Edhe atë kuadër të hotelerisë që e kemi, si synim për punë ka shtet e tjera, sidomos gjatë verës, ndërsa vendi i preferuar për punë mbetet Kroacia. Këtë e thotë një kuzhinier strugan i cili çdo sezon veror punon në bregdetin kroat.

“Studentët po mendojnë që sezonin veror ta kalojnë në detin Adriatik, mendoj se secili sheh ekzistencën për të ecur përpara në hotelieri dhe ushqim kështu që të rinjtë më shumë e zgjedhin Kroacinë. Nga Ballkani Kroacia gjatë verës jep më shumë përfitime, rrogë më të madhe”, tha Nikolla Petreski, kuzhinier nga Struga.

Sipas kuzhinierëve rrogat që marrin për 3 muaj në Kroaci, këtu nuk mund t’i marrin për një vit të tërë.