VLEN kushtëzon mbështetjen në Bërvenicë! Mickoski apelon për votim pa ndarje etnike

TË FUNDIT

Koalicioni VLEN ende nuk ka vendosur se cilin kandidat do ta mbështesë në balotazhin për Komunën e Bërvenicës, ndërsa bashkëkryetari Bilall Kasami deklaroi se vendimi do të varet nga mënyra se si do të zhvillojë AKI-ja fushatën. Ai akuzoi BDI-në dhe AKI-në se po e përqendrojnë fushatën kundër VLEN-it dhe u bëri thirrje që të fokusohen te kandidati dhe udhëheqja e komunës, e jo te gara partiake.

“Për më shumë që deklarimet e zyrtarëve të lartë të AKI-së dhe BDI-së janë se ata e kanë fituar VLEN-in. Pra, nëse edhe më tutje qëllimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të dalin fitues ndaj VLEN-it, atëherë ata me vetëdije po bëjnë një fushatë për të humbur Bërvenicën dhe këtu ne kërkojmë nga ata që të jenë të kujdesshëm. Nëse duan dhe nëse besojnë se kanë një kandidat më të mirë për të udhëhequr Bërvenicën, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, atëherë le të bëjnë një fushatë të tillë“, tha Kasami.

Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje banorëve të Bërvenicës që në balotazh të mos votojnë mbi baza etnike, por sipas ofertës dhe projekteve të kandidatëve. Ai theksoi se maqedonasit dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit edhe pas zgjedhjeve, duke akuzuar politikanët që nxisin ndarjet etnike se po përpiqen të shpëtojnë karrierën e tyre politike.

“Mesazhi im për ta është ky: se ata do të vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit edhe pas 1 nëntorit dhe pas së dielës. Do të vijnë politikanë të cilët do t’i ndajnë kryesisht sipas përkatësisë etnike. Ata janë njerëz të dëshpëruar të cilët në këtë mënyrë përpiqen të shpëtojnë atë pak që ka mbetur nga e ardhmja e tyre politike. Por mos harroni se ata do të ikin dhe nuk do t’ua shihni sytë, ndërsa ju do të mbeteni të jetoni edhe më tej pranë njëri-tjetrit, maqedonas dhe shqiptarë. Dhe mos lejoni kurrë të votoni vetëm pse dikush nga politikanët ju thotë: ‚votoni për këtë sepse i takon përkatësisë etnike të kësaj apo asaj bashkësie‘, por votoni ashtu siç ju thotë arsyeja dhe zemra, votoni për atë që do t’ju sjellë kohë më të mira për ju dhe familjen tuaj, si dhe më shumë projekte“, deklaroi Mickoski.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Bërvenicë mbahet këtë të dielë, më 1 nëntor, ku përballet Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE që në raundin e parë mori 2.945 vota dhe Arkin Jahiu nga koalicioni AKI me 2.152 vota. Kujtojmë se Bërvenica shkoi në zgjedhje të parakohshme pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit Jovica Ilievski.