Mbrëmë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë festoi ditëlindjen e 31. Torta ishte e madhe, e mjaftueshme për të gjithë të pranishmit. Në të nuk ishte harruar që të qëndrojnë dy logot e partisë. Ajo e reja në ngjyrat kuq e bardh me shkronjat LSDM, si dhe e vjetra me yll e trëndafil, që rrjedh nga prejardhja komuniste e partisë. Kjo i dha një mundësi kryetarit Dimitar Kovaçevski të përcjellë një edhe mesazh drejt Sofjes.
“Orientimi antifashist i qytetarëve tanë është pjesë e identitetit tonë kombëtar me të cilin krenohemi, por kjo është edhe pjesë e statutit të LSDM-së. Të mos harrojmë se nga ka nisur partia jonë dhe luftëtarët më të mëdhenj për këtë shtet dhe lirinë e saj e kanë formuar këtë parti politike”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryetar i LSDM-së.
Kovaçevski u zotua se do të vazhdohet në kërkimin e zgjidhjes me Bullgarinë, por duke ruajtur dinjitetin, sepse siç u shpreh “askush nuk ka të drejtë të luajë me dinjitetin e popullit tonë”. E deri sa drejtuesit aktual të LSDM-së, rrjedhimisht edhe të Qeverisë, por përpiqen të gjejnë kompromis për kontestin historik me Sofjen, në ditëlindjen e partisë nuk u panë ata që e zgjidhën kontestin e emrit me Greqinë. Në festë mungoi ish-kryetari dhe ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-nënkryetaret Radmilla Shekerinska e Milla Carovska, ish-ministre në Qeverinë Zaev 1 dhe 2.
Zaev dhe Carovska nuk na u përgjigjën në pyetjen nëse i kishin ftuar, ndërsa Shekerinska shkurt na tha se “nuk ka marrë ftesë të tillë”. I pyetur për mungesën e tyre, kryetari aktual Kovaçevski, ndejën e mbrëmshme nuk e quajti festë, por tha se kishin seancë të Kryesisë Qendrore, ku krahas pjesëmarrjes në përbërje të zgjeruar të anëtarëve të kësaj Kryesie, kanë qenë edhe kryetarët e organizatave komunale, deputetët, ministrat e zëvendësministrat.
“Të gjithë që ishin ftuar, normalisht në përputhje me statutin, ishin në seancën solemne të Kryesisë Qendrore, nuk bëhet fjalë për festë të gjerë por për seancë solemne të KQ të partisë”, tha Kovaçevski.
Ministri i Brendshëm, dikur nënkryetar i partisë, Oliver Spasovski qëndronte ulur në reshtin e dytë, bashkë me ministrin e Transportit Bllagoj Boçvarski. Mes atyre që kishin zënë vend në rendin e parë ishin kryetarët e komunave Kosta Kostadinovi dhe Pero Kostadinov, deputetja Snezhana Kalevska-Vançevska, ministrat Bojan Mariçiq e Jovana Trençevska, nënkryetarët Stefan Bogoev dhe Fatmir Bytyqi, njëherit edhe zëvendëskryeministër.
Në fakt Bytyqi është i vetmi shqiptar që bie në sy në fotografitë zyrtare të LSDM-së. Shqiptari tjetër më i famshëm nga radhët e socialdemokratëve, ish-nënkryetari Muhamed Zekiri, tani anëtarë i Kryesisë Qendrore s’mori dot pjesë në këtë ndejë që më vazhdoi në oborrin e partisë. Ndodhet në paraburgim nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare si sekretar gjeneral i Qeverisë.
E kur jemi te LSDM-ja dhe shqiptarët, mund të theksohet se kjo parti për gjuhën shqipe kujtohet vetëm para ndonjë palë zgjedhjeve. Versioni në shqip i ueb-faqes së partisë për herë të fundit është përditësuar në dhjetor 2021, para zgjedhjeve brendapartiake. Aq rrallë kontrollohet sa që anash ende qëndron profili i Facebookut i ish-kryetarit Zaev, gjersa në uebin maqedonisht tashmë është ai i Kovaçevskit. Hiç më mirë nuk janë as në faqen në shqip të partisë në Facebook. Postimin e fundit janë kujtuar ta bëjnë kur Dimitar Kovaçevski u zgjodh kryetar i partisë në dhjetor të vitit të kaluar.
