Debat për gjuhën e urrejtjes në media: Për 6 muaj, 16 ankesa te Këshilli i Etikës

TË FUNDIT

Gjuha e urrejtjes në media edhe më tej është problem serioz, alarmon shoqëria civile. Pikërisht për këtë sot u organizua debati me temë “Ballafaqimi me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit – ndikimi i redaktorëve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen“.

50 ankesa janë adresuar në gjashtë muajt e fundit në Këshillin për Etikën në Media, kurse prej tyre 16 kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes. 12 prej tyre janë për tekste të botuara në portale, tre për televizione kombëtare dhe një për median e shkruar. Ankesat ishin kundër sulmeve drejt komunitetit të LGBT-së, gjuhës së urrejtjes ndaj të miturve, si dhe politikanëve dhe gazetarëve. „Ne presim të krijohet një plan i aktiviteteve, të cilat do të ndërmerren edhe në vetë redaksitë dhe mes faktorëve të tjerë, të cilët janë të rëndësishëm për ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes në media, kuptohet me mbështetje dhe pjesëmarrje edhe të Këshillit për Etikë në Media“, deklaroi Marina Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit për Etikë.

Në Kodin Penal, për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminim parashihen një varg sanksionesh. Dënimet shkojnë nga 1 deri në 10 vjet burg, kujton ish-kreu i KRD-së Mirçe Adamçeski, tani kryetar i Komisionit për Ankesa pranë Këshillit të Etikës. “Në një shtet me kapacitet demokratik gjëra të tilla nuk do të ndodhnin, por e dimë se si është situata te ne dhe Ligji nuk zbatohet. Por me ndryshimet që duhet të ndodhin, nuk do të thotë se ndonjë redaktor apo pronar nuk do të përfundojë në burg. Për këtë arsye ne insistojmë në vetërregullim”, theksoi Adamçeski.

Sipas komunikologut Sefer Tahiri, mediet janë kanali që përhap gjuhën e urrejtjes, të cilën e krijon Qeveria dhe institucionet. Tahiri dha disa shembuj në të cilat mediat kanë qenë transmetues të gjuhës së urrejtjes së shprehur nga politikanët dhe personalitetet tjera.

Ambasadori Aivo Orav iu referua vlerave evropiane dhe lirinë e të shprehurit si segment kyç në shoqëri demokratike. „BE monitoron pyetjet lidhur me lirinë e mediave përmes qasjes së dialogut politik dhe raportit vjetor për avancim. Vëmendje e veçantë i kushtohet luftës kundër dhunës ndaj gazetarëve, krijimit të tregut transparent dhe zhvillimit të gjyqësorit i cili do të jetë garanci për të drejtat individuale. BE ndihmon në ballafaqimin me këto çështje përmes mbështetjes financiare“, potencoi euroambasadori.

Bashkimi Evropian deri më tani ka ndarë 2,5 milionë euro për fuqizimin e shoqërisë civile dhe për mbështetje të lirisë së mediave. Edhe në marrëveshjen e Përzhinos parashihet një klauzolë për lirinë e mediave, dhe për këtë po negociojnë vetë partitë politike.

Gabriella Dimkoviq – Mishevska