Me diskutime dhe përplasje verbale filloi debati në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, për kandidatët për anëtarë në KSHZ. Sapo u miratua rendi i ditës, deputetja e Alternativës, Safije Sadiki, kërkoi që kandidati Zylfi Adili fare të mos vendoset në votim, sepse siç tha, ai është i propozuar nga parti e cila fare nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Me dy vota PËR dhe shtatë KUNDËR, propozimi i saj u refuzua. E meqenëse deputetët tjerë nuk u paraqitën për fjalë, kryetarja e komisionit Marija Gjeorgjievska deshti ta vendosë në votim kandidaturën e Zylfi Adilit. Në atë moment, shpërtheu revolta te deputetët opozitar.
Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE akuzon kryetaren Gjeorgjievska se në mënyrë kriminale dëshirojnë të votojnë kandidat i cili sipas saj, është propozim i një partie të sapoformuar.
“E tani në mënyrë kriminale, këtu kemi propozim nga parti në pushtet i cili vetëm si pro-formë është dhënë si propozim i partisë së sapoformuar në opozitë, e propozimi i opozitës së vërtetë në Kuvend nuk doni ta diskutoni. Jeni mbledhur këtu shtatë deputet shumicë. Lëni që tregoni forcë po le të na dëgjojë populli pse reagojmë. Si nuk ju vjen turp? Emër nuk përmendni. A nuk ju vjen turp të lexoni emrin e Zylfi Adilit? Kush është Zylfi Adili?”, tha Dafina Stojanovska – Deputete e VMRO-DPMNE-së.
E meqenëse kryetarja Gjeorgjievska dha një orë pushim, opozita thirri konferencë për media.
“Komisioni për Mandate dhe Emërime tentoi ta hedhë në votime të dy kandidaturat të shkojnë në plenum me qëllim të bllokohet edhe më tej formimi i KSHZ-së dhe votimi i anëtarit tonë të KSHZ-së. Nuk do të marim pjesë në Kuvend, nuk do të jemi prezent as në komisione as në plenum, do të jemi jashtë Kuvendit dhe do të alarmojmë gjithkund, te qytetarët, te ndërkombëtarët, jemi në kontakt me ambasadat, OSBE/ODIHR”, theksoi Afrim Gashi – Kryetar i Alternativës.
Pas pushimit në debat u inkuadrua edhe deputeti tjetër i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. Sipas tij, qëllimi i shumicës nuk është të zgjidhet anëtar të KSHZ-së, por të mos zgjidhet fare.
“Pikërisht ky është qëllimi i shumicës parlamentare, të mos ketë zgjedhje në KSHZ, e njejta të ngelet jo e plotë. VMRO gjithashtu t’i tërheqë anëtarët e saj nga KSHZ dhe të kemi KSHZ me katër anëtarë, dy të BDI-së dhe dy të LSDM-së të cilët do t’i organizojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale dhe kuptohet zgjedhje të tilla do të jenë të parregullta dhe gjithkush do të kërkojë anulimin e tyre”, pohoi Antonio Milloshoski – Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Si vërejtje kyçe e opozitës ishte gjithashtu edhe fakti që kreu i Kuvendit Talat Xhaferi u ka dërguar kërkesë për mendim të gjitha partive opozitare, veçanërisht Partisë Demokratike Europiane, sepse sipas tyre, kjo parti fare nuk ka marë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
