Çdo 5 ditë një kafshim nga qentë endacakë në Tetovë! Komuna ka ndarë 1.5 milion denarë, veterineri thotë se nuk mjaftojnë

TË FUNDIT

66 qytetarë janë kafshuar nga qentë endacakë në Tetovë gjatë vitit 2021, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Brendshme. Kjo nënkupton se çdo të pestën ditë ka ndodhur një kafshim. E këto janë vetëm rastet e denoncuara në polici, pa i llogaritur ato që nuk janë evidentuar. Edhe përkundër kësaj, në Tetovë mbi katër muaj nuk trajtohen qentë endacak. Një muaj para nisjes së fushatës zgjedhore Komunës i mbaroi buxheti i paraparë për kastrim dhe vaksinim të qenve endacakë. E për vitin 2022 thonë se janë paraparë 1.5 milion denarë.

 “Komuna e Tetovës për vitin 2022, sipas Programit për tokë ndërtimore ka paraparë 1.500.000,00 denarë. Trajtimi do të nisë menjëherë pas mbarimit të procedurave për prokurime publike sipas planit për vitin 2022”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Veterineri Rami Selmani, i cili ka veterinarinë e vetme në rajon për kastrim dhe operim, thotë se mjetet e ndara janë të pamjaftueshme për të zgjidhur problemin e qenve endacakë.

 “1.5 milionë janë aq pak sa që s’kam koment. Për këtë shumë momentale në Tetovë, kjo është për një muaj e gjysmë ose dy muaj dhe përfundon gjithçka, edhe atë vazhdon siç ka qenë, kapja dhe lëshimi, nuk bisedohet për kapjen, operimin, vaksinimin dhe mbajtjen e qenve në stacionar”, u shpreh veterineri Rami Selmani.

Për zgjidhjen afatgjate të problemit me qentë endacak, duhet që kostoja e trajtimit të qenve të rritet katërfish, thotë Selmani.

 “Kjo shumë është shumë e vogël për qytetin e Tetovës, sepse bisedohet që në të ardhmen të mos jetë më e njëjta, kapja e qenve dhe vaksinimi i tyre të bëhet në stacionar që të mos lëshohen qentë në të njëjtin vend ku kapen, por të mbahen përgjithmonë aty. Normal që do të rritet deri tre, ose katërfish më shumë”, shtoi veterineri Rami Selmani.

Komuna e Tetovës gjatë vitit 2021 ndau 3 milionë denarë për trajtimin e qenve endacakë, por as këto mjete nuk ishin të mjaftueshme.

Më 19 shtator të vitit që lam pas, në Tetovë një tufë qensh endacak sulmuan një 5-vjeçar duke i shkaktuar plagë të rënda, ndërsa komuna e Tetovës vetëm gjatë 2021-shit ka humbur rreth 6 procese gjyqësore për mos trajtimin e qenve endacakë, por asnjë nga palët e dëmtuara deri më tani nuk ka arritur të marrë dëmshpërblim për këtë çështje.