Futbollisti i Paris Saint-Germain, João Neves, ka befasuar fansat me makinën me të cilën u shfaq në qendrën stërvitore të klubit, përcjell TV21. Ndërsa tifozët janë mësuar t’i shohin futbollistët e PSG-së pas timonit të makinave luksoze dhe sportive, Neves u shfaq duke drejtuar një Peugeot Partner, një furgon për transport mallrash i vitit 2021. Një model i tillë në tregun e makinave të përdorura mund të kushtojë rreth 8 mijë euro.
João Neves est arrivé au Campus PSG… en camionnette utilitaire. 😂🚛🇵🇹 pic.twitter.com/VRgJloy6Yk
— Le Meilleur du PSG (@LMDPSG) August 31, 2026
Zgjedhja është edhe më interesante duke pasur parasysh se Neves raportohet të fitojë rreth 175 mijë euro në javë te PSG. Sipas të njëjtave të dhëna, kjo nënkupton të ardhura prej rreth 9 milionë eurosh në vit, ndërsa me bonuset shifra mund të arrijë në rreth 10 milionë euro.
Videoja e mbërritjes së tij u përhap shpejt në rrjetet sociale. Neves ndaloi pranë tifozëve të mbledhur para qendrës stërvitore, firmosi autografe dhe më pas vazhdoi rrugën me furgonin. Zgjedhja e tij shkaktoi reagime pozitive nga tifozët.
Kush është João Neves?
Neves iu bashkua PSG-së nga Benfica në verën e vitit 2024. Klubi francez pagoi rreth 60 milionë euro për mesfushorin, i cili atëherë ishte vetëm 19 vjeç.
Ai u shndërrua shpejt në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së Luis Enrique dhe është gjithashtu pjesë e rregullt e kombëtares së Portugalisë. Te PSG, ai është dalluar veçanërisht për bashkëpunimin në mesfushë me bashkëkombësin Vitinha.
Neves është parë edhe më herët në makina luksoze, ndaj nuk dihet nëse Peugeot-i është automjeti i tij i përditshëm apo nëse e përdori vetëm në këtë rast. Mediat portugeze raportojnë se furgoni kishte targa portugeze.
