Bullgaria e pranoi emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut! Petkov shmang pyetjet për identitetin dhe gjuhën maqedonase

TË FUNDIT

Në vizitën e parë të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, është arritur edhe marrëveshja e parë. Bullgaria pranoi ta përdorë emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut, si dhe emrin e gjatë, diçka që më herët e kontestonte. Takimi që u mbajt në Shkup mes Petkovit dhe Kovaçevskit, u vlerësua si hap i rëndësishëm në tejkalimin e çështjeve të hapura. Kovaçevski iu drejtua me fjalët “mik i dashur, këtu jeni çdoherë të mirëseardhur për shkak se kemi qëllim të përbashkët, të krijojmë të ardhme më të mirë për qytetarët e dy shteteve” dhe paralajmëroi periudhë intensive në zgjidhjen e çështjeve të hapura, mes tyre edhe çështjet e identitetit.

 “Me kryeministrin Petkov u dakorduam se Bullgaria pranon që të përdorë emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut njëjtë si emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo do të thotë se Bullgaria më nuk do ta bllokojë përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces dypalësh apo ndërkombëtarë dhe për këtë janë njoftuar Kombet e bashkuara. Në lidhje me përdorimin e gjuhëve, ne jemi shtet që është njohur nga Republika e Bullgarisë dhe shtet i cili Kushtetutën e ka në gjuhën maqedonase”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Petkov në konferencë për media për herë të parë përdori emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut. Tha se është optimist për gjetjen e zgjidhjes, por ai nuk u përgjigj për çështjet e gjuhës dhe popullit maqedonas. Në kërkesë të gazetarëve që ta emërojë gjuhën dhe popullin e shtetit në të cilin është momentalisht, ai shmangi që të përgjigjet.

Gëzohem se mundem shumë qetë të them – Maqedonia e Veriut. Në Marrëveshjen tonë për fqinjësi të mirë që e kemi nënshkruar kemi definicion shumë të qartë për gjuhën dhe tezën për gjuhën si dhe në pjesën e dokumenteve tjera që tashmë i kemi nënshkruar. Ne absolutisht respektojmë vet-përcaktimin e gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe përdorimin e gjithë gjuhëve tuaja të shkruara në Kushtetutë“, theksoi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Komisioni historik i cili ka ngecur te figura dhe përkatësia e Goce Dellçevit do të jetë një prej pesë komisioneve që në mënyrë intensive do të punojnë në avancimin e raporteve. Do të fokusohemi në çështjet që janë të rëndësishme për të ardhmen- tha Petkov, ndërsa përparim është edhe marrëveshja për linjë ajrore Shkup-Sofje, me çka lidhja mes dy vendeve do të jetë për 20 minuta.

Në fund të konferencës për media, kryeministri i vendit Kovaçevski mori dhuratë, një mollë të kuqe nga një gazetare bullgare. Ajo porositi se molla është në shenjë të falënderimit që ai angazhohet për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Petkov me buzëqeshje e ndoqi këtë gjest të gazetares bullgare.

Përndryshe, është dakorduar që pas një jave, përkatësisht më 25 janar, të mbahet seanca e dy qeverive ku do të formohen grupet e punës për projekte të përbashkëta, pas çka çdo javë të ardhshme grupet e punës do të kenë takime që të përshpejtohen aktivitetet. Petkov ka takim edhe me liderët e partive politike, me kryetarin e BDI, Ali Ahmetin dhe me atë të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoskin.