Bujqit e Tetovës pa dëmshpërblim nga dëmet e breshrit! Komisioni qeveritar: Nuk janë mbushur formularët si duhet

TË FUNDIT

Bujqit e Tetovës ankohen se nuk i kanë marrë dëmshpërblimet që u takojnë, as ato të vitit 2023 edhe as të breshrit që ra në qershor të vitit 2024. Bujqit thonë se pas dëmit të fundit, këtë vit nuk kanë mbjellë, sepse nuk kanë të holla, dhe se janë në borxh serioz në barnatoret bujqësore, e nuk kanë marr prodhime që t’i paguajnë. Ata luten që të kompensohen sa më shpejtë.

Nga komisioni qeveritar për kompensimin e dëmit thonë se problemi qëndron në komunë të Tetovës, pasi nuk i ka mbushur si duhet formularët dhe dokumentacioni është kthyer disa herë.

Nga komuna e Tetovës pranojnë se nuk kanë dorëzuar dokumentacionin deri në komisionin qeveritar, por arsyetohen se janë akoma në afatin kohor.

Në Tetovë të dëmtuar janë 560 qytetarë që merren me bujqësi por edhe amvisëri që kanë dëme nga vërshimet, por edhe dëme nga të reshurat e breshrit. Në qershor të vitit 2024 kryetari i komunës së Tetovës bashkë me ministrin e bujqësisë dolën në terren për të parë situatën ku edhe iu premtua bujqve marrje të dëmshpërblimit.