“Herët a vonë, si Iva ashtu edhe babai i saj do të japin llogari” – Mickoski shpreh keqardhje që autoritetet bullgare po tregojnë “muskujt” me këtë rast

TË FUNDIT

Është absolutisht e pavërtetë ajo që po pretendohet në Bullgari, se Iva Mihailova e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar përmes një pike zyrtare kufitare, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me arratisjen e saj në Bullgari.
Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme ende po heton mënyrën se si Mihailova është dërguar në anën bullgare, por pretendoi se ajo e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, në bashkëpunim me avokatin e saj bullgar. Sipas tij, avokati kishte hyrë në vend më 28 shtator dhe jo një ditë para se ta merrte Mihailovën, siç ishte pretenduar.
Mickoski përsëriti tri herë se si Iva Mihailova, ashtu edhe babai i saj, do të japin llogari para autoriteteve maqedonase.

“MPB-ja po heton dhe do të zbulojmë se në çfarë mënyre është dërguar ajo. Ajo që dua të them gjithashtu është se edhe prindi i saj, i cili duhet të japë llogari para autoriteteve maqedonase, edhe Iva, e cila duhet të dëshmojë pafajësinë e saj, do të japin llogari. Herët a vonë.
Më vjen keq që udhëheqja politike në Bullgari po përpiqet të tregojë muskujt politikë në këtë mënyrë, pa e kuptuar dëmin që po i shkakton vetes në planin ndërkombëtar. Por ky është vendimi i tyre”, tha Mickoksi.

Për këtë rast, nga LSDM-ja pretendojnë se bëhet fjalë për një marrëveshje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për t’i mundësuar Mihailovës të arratiset dhe kërkojnë përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski.

Skandali i lejimit të organizuar të largimit të Iva Mihailovës duhet të zbardhet deri në fund, me prova dhe me përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe politike. Jo teatër, thirrje të ambasadorëve, fletarrestime dhe paralajmërime për paraburgime, bartje të përgjegjësisë dhe manipulime. Përgjegjësi, nga i pari deri te i fundit.

Nuk ka drejtësi. Askush nuk mban përgjegjësi, të gjithë ikin, e më së shumti ikin përtej kufirit. Prandaj kërkojmë dorëheqjen e Toshkovskit”, tha Aleksandar Naumovski.

Lidhur me akuzat e LSDM-së, Mickoski tha se opozita po e mban këtë temë në vëmendjen e publikut për të fituar pikë politike, por në thelb, sipas tij, mban të njëjtin qëndrim me Bullgarinë.

“Fakti që opozita dhe udhëheqja e fqinjit tonë lindor janë në të njëjtën linjë tregon shumë për atë se cili ka qenë qëllimi dhe cili është qëllimi tani. As Iva nuk është qëllimi, as ndonjë gjë tjetër. Qëllimi është të krijohet një temë politike, për të cilën ata kanë supozuar se do të ndikojë në rejtingun e koalicionit qeverisës, përkatësisht të VMRO-DPMNE-së, të jem më i saktë, dhe në këtë mënyrë t’i sigurojnë një përfitim të caktuar opozitës, e cila ka qëndrim fjalë për fjalë identik me atë të udhëheqjes së Bullgarisë”, tha Mickoski.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë ka marrë zyrtarisht njoftim nga Interpoli i Maqedonisë, me kërkesë për lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar, arrestimin dhe ekstradimin e Iva Mihailovës. Megjithatë, autoritetet bullgare nuk po ndërmarrin masa për lokalizimin dhe ekstradimin e saj, duke iu referuar Kushtetutës së tyre, sipas së cilës një shtetas bullgar nuk mund të ekstradohet.