Faksimile të njohura ligjërisht për nënshkrim, trotuare të përshtatura, transport publik të qasshëm dhe më shumë mbështetje institucionale janë disa nga kërkesat e Unionit Nacional të të Verbërve në Maqedoni, të paraqitura në Kuvend me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Përfaqësuesit kërkuan gjithashtu rritjen e shtesës për aftësi të kufizuara, lehtësimin e procedurave për pajisjet ndihmëse, qasje më të mirë në shërbimet digjitale dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Marrakeshit. Nga institucionet u theksua se duhet të punohet për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e kushteve që personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar të lëvizin, të arsimohen dhe të marrin pjesë në jetën shoqërore në mënyrë të pavarur dhe me dinjitet.
