Blerim Reka ka marrë ftesë personale nga presidenti i ri, Stevo Pendarovski, por ka refuzuar të jetë këshilltarë i tij. Profesori universitar, i cili ishte kundër-kandidat i Pendarovskit në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ka shpjeguar se nuk dëshiron të dëmtojë veten as Pendarovskin, duke pasur parasysh se pas rrethit të parë kur doli me letër deri te simpatizuesit, që të votojnë për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, mori shumë kritika dhe akuza se ka pasur marrëveshje me Pendarovskin.
Nga kabineti i Pendarovskit konfirmuan se ekipi dalëngadalë po formohet.
Këshilltarë të jashtëm do të jenë:
Denko Maleski –politikë të jashtme
Besa Arifi – çështje juridike
Mirjana Llazarova Trajkova – çështje juridike
Aleksandër Dimitrov – për politikë të jashtme dhe çështje ndërkombëtare
Aleksandër Tavçievski – politikë të jashtme
Me angazhim të përhershëm do të jetë edhe Mile Boshnjakovski, i cili është shefi i ri i kabinetit, më pas Biljana Radeva – Press oficer, e cila vjen nga ambasada britanike, Blerim Kolalli – këshilltarë për siguri kombëtare, i cili në 12 vitet e mëparshme ka punuar në zyrat NATO-së në Shkup. Aleksandër Spasov – këshilltarë për politikë të jashtme, Katerina Canevska – për media, Toshe Zafirov – për siguri, Biljana Miceva Josifovska – shefe e protokollit, Luljeta Ademi – këshilltare e posaçme për komunikim me personat me nevoja të veçanta dhe Goce Karajanov – këshilltarë për politikë të jashtme.
Për momentin, në kabinet ka 61 të punësuar, duke numëruar edhe personat që kanë punuar në kabinetin e Gjorge Ivanovit. Deri më tani, tre persona kanë kërkuar që të largohen me presidentin e mëparshëm. Pendarovski nuk ka për qëllim që të largojë askënd nga puna, ndërsa nëse nuk ka të tjerë që vet vendosin që të largohen, numri i të punësuarve do të rritet. Nga kabineti i presidentit të ri konfirmuan se është kërkuar kontroll inspektues i parregullt, kontroll në punën e arkivit por edhe revizion financiar. Para se t’i mbarojë mandati, Ivanov nuk ka nënshkruar rreth 30 ligje, ndërsa në gjithë memorandumet dhe vulat ka qenë emri i vjetër i shtetit, për çka janë vonuar edhe letrat e akredituara të ambasadorëve të ri të emëruar në vend.
Përgatiti: Edin Rastoder
