Blegtorët në hall me çmimet e shitjeve! Edhe banorët nuk i duan në rrethin ku jetojnë

TË FUNDIT

Blegtorët e Kërçovës në takim me drejtorin e Agjencisë për zhvillim rural shfaqën një sërë ankesash për veprimtarinë e tyre e cila dita ditës po has në vështirësi të mëdha.

Ata u njoftuan nga drejtori i Agjencisë për zhvillim rural për aplikimin se si të arrihet deri tek subvencionimi për makineri punuese, por si problem më të madh blegtorët shfaqën çmimin shumë të ulët të qumështit, vetëm 18 denarë për litër.

 “Nuk jam i kënaqur nga ana tjetër me çmimet, ne tek BiMilk ishim 46 fermer që jepnim qumësht, tash kanë mbetur 4, aty kanë ndikuar faktorë të jashtëm e të brendshëm “

 “Sa do e paguajmë  në Kërçovë 18 denarë, në Tetovë, Gostivar, 22, 23 denarë. Në qoftë se paguhet 23 kanë mundur të mbijetojnë edhe pa atë 3,5 denarë subvencione, me kalimin e kohës ne mundoheshim të qëndrojmë, hipi drithi, çdo send tjetër, qumështi mbetej me çmimin e njëjte deri për vitin e ri dhe lopët i shitëm në Kosovë në Shqipëri”

Problem tjetër me të cilin ballafaqohen blegtorët është edhe ballafaqimi me hapësirat për veprimtari, së fundmi ata që merren me blegtori nuk janë të mirëpritur në fshatrat ku veprojnë, kjo për shkak të erës dhe plehrit që krijohet.

 “Ai ka bërë shtëpi 200 mijë euro dhe nuk të do aty, është e drejtë e tij, mirëpo nuk kemi rrymë për tu larguar dy kilometër larg dhe kështu na shfaqen shumë probleme”

Një problem të këtillë TV21 ka hasur edhe në Moroishtë të Strugës ku banorët kanë mbledhur nënshkrime me anë të një peticioni dhe nuk duan që blegtorët të kalojnë rrugës së fshatit sepse siç thonë ata duan një jetë normale jo me erë dhe me plehra rrugëve.

Drejtori i Agjencisë për zhvillim rural Remzi Abdullai tha se është paraparë një plan në lidhje më këtë problematikë ku nga shtatori blegtorët do të mund të aplikojnë për ndërtim stallë jashtë fshatit apo qytetit.

“Për këtë mund t’ju garantojmë lirisht, se prej në shtator do të jetë thirrja ku mund edhe objekte në viset malore jashtë qyteteve apo jashtë fshatrave, ku gjithë investimi do të jetë i mbuluar 65% nga shuma totale të cilën e prahesh blegtori për të ndërtuar atë objekt”, tha Remzi Abdullai, drejtor i Agjencionit për Zhvillim Rural.

Takimi i sotëm kishte të bëjë me thirrjet e fundit për subvencione nga Agjencia për zhvillim rural, të cilat do të jenë të hapura prej 20 majit.