Banorët e bulevardit “Bllagoja Toska” tek pjesa e quajtur “kazerma në Tetovë” ankohen se nuk po mund t’i hapin as dritaret e shtëpive për shkak të pluhurit. Thonë se punët që kanë filluar muaj më parë, janë lënë në gjysmë, ndërsa bëjnë apel tek komuna dhe kompania që ta përfundojnë sa më parë.
Nga Komuna e Tetovës thonë se kompania është duke i vonuar punët dhe se për këtë kanë dorëzuar vërejte. Nëse nga kompania nuk marrin masa, kontrata do të prishet.
Por Aziz Alia nga kompania “Andrra” që realizon punimet, në një përgjigje me shkrim na tha se kanë disa probleme juridike me projektin dhe se janë në kontakt me komunën e Tetovës. Zotohen se punët do të realizohen sa të zgjidhen këto probleme.
Televizioni 21 mëson se disa nga pronat që duhet t’i kalojë bulevardit nuk janë paguar, dhe kjo është pengesa kryesore që ky bulevard nuk po mund të hapet deri në fund. Në kohën kur filluan punimet kryetari i komunës tha se këto çështje tashmë janë zgjidhur. Se edhe sa do të vazhdojë që ky bulevard në këtë gjendje, mbetet të shihet. Afati kohor ishte tre muaj, afat që ka kaluar thuajse tash e dy muaj.
