Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, iu ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të zgjedhin presidentin e vendit, përcjell TV21. Ai tha se nëse nuk zgjidhet presidenti, do të ketë telashe të mëdha për shtetin e Kosovës, pasi ka armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan. Pas ceremonisë ku DioGuardi mori shtetësinë e Kosovës, tha se ishte me rëndësi që të qëndrojë në Kosovë në këtë periudhë, siç tha, për ta zgjuar popullin e Kosovës.
“Jam këtu që të siguroj që ju të keni një president dhe shpresoj që të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk zgjidhet deri atëherë, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan. Ishte e rëndësishme që të vija me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar; tani nuk është koha të flini në gjumë, sepse njerëzit kanë marrë nga ju, e urrej ta them, por mund ta shihni edhe vetë”, theksoi ai.
