Fotografia që u shpërnda nga drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, së bashku me njoftimin se është shpëtuar një viç nga zjarri në Malin e Kitkës, në afërsi të fshatit Paligrad, rezulton të jetë marrë nga një ngjarje tjetër, që ka ndodhur në vitin 2020.
Në lidhje me: Zjarrfikësit e Shkupit shpëtuan një viç nga zjarri i madh në malin e Kitkës
Verifikim i fotografisë në internet tregon se fotografia e përdorur në postim nuk është bërë në Maqedoninë e Veriut, por lidhet me një zjarr në Kaliforni në vitin 2020.
Më 9 shtator 2020, portali Agriculture.com publikoi fotografinë dhe rrëfimin për një viç që kishte mbijetuar një zjarr të fuqishëm në Kaliforni. Në artikull përshkruhet se si fermerja e kishte gjetur kafshën në një fushë të përfshirë nga zjarri dhe e kishte dërguar në një vend të sigurt.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, pranoi se fotografia nuk është bërë në Maqedoninë e Veriut, por tha se ajo ishte përdorur vetëm si ilustrim për ngjarjen e pretenduar në Paligrad. Ali këmbënguli se një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur gjatë zjarrit dhe se ai vetë kishte qenë në terren së bashku me zjarrfikësit.
“Kërkoj falje për keqkuptimin e krijuar. Fotografia është vetëm ilustrim i tekstit, i cili paraqet një ngjarje të vërtetë. Ju ftoj në fshatin Paligrad, ku në vendngjarje, bashkë me mua, ndodhen 6 zjarrfikës nga Shkupi. Ngjarja është shkruar ashtu siç ka ndodhur, ndërsa viçi është shpëtuar i gjallë dhe shëndoshë!”, tha Ali.

Paraprakisht, gjatë njoftimit fillestar, drejtori nuk tregoi se fotoja është përdorur për ilustrim.

