Ora 4 e 20 e mëngjesit. Xhamia “Mustafa Pasha” në Shkup. Besimtarët myslimanë po falin namazin e mëngjesit.
Më pas manifestimi vazhdoi me këngë fetare nga kori i Medresesë “Isa Beu” dhe me lexim të Kuranit, deri në namazin e Bajramit të Kurbanit, që u fal në orën 5 e 38.
Për dallim nga herët e kaluara, mesazhin e hutbes së Kurban Bajramit nuk e dha kryetari i BFI-së Shaqir Fehau, por Myftiu i Tetovës Selver Xhemaili, i cili po ashtu u priu edhe namazit të Bajramit.
Ky promovim i tij vjen në kohë mosmarrëveshjesh për myftininë e Tetovës, në krye të së cilës BFI-ja e vendosi Selver Xhemailin, duke e shkarkuar myftiun Qani Nesimin, i cili nuk e ka lëshuar ende detyrën.
“Kjo festë e madhe e Kurban Bajramit i flet njeriut bashkëkohor që krahas zhvillimit në sfera të ndryshime t’i kthehet edhe shpirtit, moralit e familjes së shëndoshë. Festa e Kurban Bajramit simbolizon devotshmërinë e nivelit të lartë, ajo na mëson që ta duam dhe shërbejmë njëri-tjetrit, ta duam vetveten, familjen dhe njeriun në përgjithësi”, tha Selver Xhemaili u.d.u. myfti i Tetovës.
Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.
Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Në kalendarin islam Hixhri, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
