Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur gjatë një festivali vjetor në Toledo të SHBA-së, ku të paktën 12 persona mbetën të plagosur, dy prej të cilëve rëndë.
Autoritetet amerikane dyshojnë se dy persona të armatosur po shkëmbenin zjarr mes turmës, ndërsa deri tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës gjatë festivalit që organizohet çdo vit në lagjen historike Old West End. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë momentet e panikut, me dhjetëra pjesëmarrës që vrapojnë për t’u strehuar pasi dëgjohen të shtënat.
Zëvendësshefi i Policisë së Toledos, Joe Heffernan, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se dy persona mund të kenë qëlluar ndaj njëri-tjetrit.
“Duket se kishte dy persona që po qëllonin, ndoshta ndaj njëri-tjetrit. Asnjëri prej tyre nuk është në paraburgim”, tha ai gjatë një konference për shtyp.
Policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin e autorëve. Rrugët përreth zonës së festivalit janë bllokuar, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet filmike dhe provat e mbledhura në vendngjarje.
