“Xhiro n’Tetovë” me biçikletë, me një mesazh të vetëm, që dyrrotëshi të shfrytëzohet sa më shumë! Përmes këtij aktiviteti Lëvizja qytetare “Më mirë për Tetovën” po përpiqet të sensibilizojë sa më shumë qytetarët.
“Duam të përcjellim edhe një mesazh, që më shumë të përdoren biçikletat, fëmijët të largohen nga trotinete elektrike, veçanërisht një apel prindërve fëmijëve që janë nën moshën 18 vjeçare mos u lejoni vozitjen e trotineteve elektrike pasi paraqet rrezik, atë e kemi të konfirmuar edhe me statistikat që vijnë nga klinika e ortopedisë pasi që shumë fëmijë, por edhe të rritur kanë pësuar lëndime të ndryshme duke vozitur trotinetet në komunikacion”, theksoi Agron Arifi – MMPT .
Qytetarët që takuam thonë se në Tetovë nuk ndihen të sigurt me biçikleta sepse mungojnë shtigjet për t’i ngarë ato, ndërsa makinat e parkuara në korsinë e dytë bën edhe më të vështirë lëvizjen.
-Domethënë në Tetovë pothuajse s’ka fare shtigje për biçikletat, kështu që është e nevojshme të ketë. Shumë nga ne, për shembull për veten time, përdorim, shfrytëzojmë biçikletat për të lëvizur brenda ditës domethënë brenda qytetit. Edhe sigurisht që nuk ndihemi shumë të sigurt shkaku se trafiku është gjithsesi i rënduar, veturat e parkuara paralelisht që e vështirësojnë edhe lëvizjen e veturave, po sidomos të biçiklistëve. Kështu që është mirë të mendohet edhe të bëhen shtigje.
-Definitivisht që është e nevojshme. Për siguri, kisha thënë që nuk janë kushtet edhe rendet aty ku duhet të jenë. Nuk kisha thënë se ndihem i sigurt sa për shembull sa di e sa kam dëgjuar se domethënë janë kushtet në vende të tjera në Evropë. Edhe pse normal, larg jemi prej atyre kushteve, por mendoj që ka nevojë që të aktualizohet kjo çështje. Ka nevojë që njerëzit më shumë të dalin me biçikleta, normal të zvogëlohet ngarkesa në komunikacion, zvogëlohen emisionet, edhe normal në anën tjetër ka ndikim pozitiv edhe në shëndetin e njerëzve, kështu që definitivisht duhet ta promovojmë edhe t’i stimulojmë njerëzit që të dalin më shumë me biçikleta.
Mesazhi i sotëm i qytetarëve dhe organizatorëve të ‘Xhiro n’Tetovë’ ishte që Tetova nuk ka nevojë vetëm për aktivitete simbolike njëditore, por për zgjidhje konkrete infrastrukturore. Derisa statistikat mjekësore dhe kaosi i përditshëm në komunikacion alarmojnë për rrezikun që kanoset, topi tani mbetet në oborrin e autoriteteve komunale, të cilat duhet të vendosin nëse do t’i japin përparësi shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, apo do ta lënë Tetovën të mbytur nën kaosin e makinave.
