Partia në pushtet VMRO-DPMNE thotë se, pavarësisht vlerësimeve dhe njohjeve nga zyrtarë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, vetëm Venko Filipçe dhe presidenti bullgar Rumen Radev kërkojnë ndryshime kushtetuese si kusht kryesor në procesin evropian, përcjell TV21. Sipas tyre, përfaqësuesit evropianë, siç theksohet, e përshëndesin qasjen e qeverisë aktuale dhe e konsiderojnë vendin si lider në rajon, ndërsa qëndrimet ndryshe nga Filipçe dhe LSDM i cilësojnë si pengesë në këtë proces. “Në vend që të qëndrojnë pas interesave maqedonase, ata përgatisin edhe një tradhti më të madhe”, shprehen nga partia e Mickoskit, duke e pyetur Filipçen se çfarë tjetër duan të bëjnë më shumë që t’i dëmtojnë Maqedonisë dhe të mbeten në histori si tradhtarët më të mëdhenj të atdheut?
“Pas një kohe të gjatë përkuljeje dhe naiviteti nga ana e autoriteteve të udhëhequra nga LSDM, tani përfaqësuesit evropianë shohin një qasje shtetërore nga qeveria maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe thonë se meritojmë një rrugë evropiane të parashikueshme. Vetëm Venko Filipçe dhe Rumen Radev nuk mendojnë kështu. Por “pika e butë” e udhëhequr nga Filipçe dhe LSDM e vështirëson punën. Vetëm ata janë në të njëjtën linjë me Radev dhe Bullgarinë, dhe kjo i përshtatet autoriteteve bullgare”, theksoi Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE .
