Kryeministri Hristijan Mickoski tha se deklarata e eurokomisioneres Marta Kos për ndryshimin e procesit të zgjerimit nuk nënkupton kritere të reja për Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se vendi po zbaton agjendën e reformave dhe ka politika të harmonizuara me BE-në. Sipas Mickoskit, RMV-ja do t’i përmbushë të gjitha detyrimet që nuk lidhen me kushtet bilaterale dhe do të vazhdojë rrugën drejt BE-së.
“Nuk ka kritere të reja kur flasim për aderimin në BE për vendet kandidate, tash për tash. Do të shohim çfarë do të ndodhë më tej. Ka disa sfida që i kemi në dispozicion dhe janë para nesh, jo vetëm si vend, por edhe vetë BE-së. Deklarata e Kos është në konotacion tjetër dhe nuk ka të bëjë me RMV-në si vend. Ne kemi politika të harmonizuara të jashtme me BE-në, kemi besim të plotë në suazat e BE-së, punojmë në agjendën e reformave. Në raportin e dhjetorit ishim më të mirë, presim njëjtë të jetë në raportin e qershorit. Ajo që është detyrim i yni, jashtë kushteve bilaterale, do ta bëjmë dhe do të jemi më të mirët, dhe jemi më të mirët. Andaj, vazhdojmë në këtë drejtim”, deklaroi Mickoski.
