Ashensorë të pasigurt në Spitalin Klinik të Tetovës/ Ministria e Shëndetësisë pret përfundimin e tenderit

TË FUNDIT

Ashensorët në Spitalin Klinik të Tetovës janë në gjendje të mjerueshme. Në bllokun internistik dhe atë kirurgjik, 5 ashensorë janë jofunksional, ndërsa edhe disa të tjerë që funksionojnë, për shkak të vjetërisë nuk janë edhe aq të sigurt për t’u përdorur. Jo më larg se para dy ditësh, një person ka ngecur në ashensor përderisa po shkonte në katin e pestë për të vizituar një familjar të tij. E tani, si pasojë e traumës, pavarësisht se ka problem shëndetësor, i njëjti detyrohet që të shkojë në këmbë deri në katin e 5-të, sepse frikësohet që ta shfrytëzojë përsëri ashensorin.


“Vështirë shumë por nuk kemi çfarë të bëjmë. Mos pyet sa lodhemi. Lodhemi sa që më edhe të alivanosemi. Nuk ka siguri. Dje hipa dhe u prish mbetëm brenda. Nuk mbetëm shumë sepse erdhi shpejtë mjeshtri. Ja ky lift u bllokua. Mbërriti deri në kat edhe u ndal”.

 

Pacientët dhe ata që vizitojnë familjarët e tyre në spital, bëjnë apel që ashensorët të rregullohen sa më shpejtë që të jetë e mundur.


“Nuk i shfrytëzojmë hiç sepse nuk punojnë. Shumë pak punojnë andaj nuk i shfrytëzojmë fare. Më shumë hipim në këmbë. Mu më ka ndodh ajo para 3 muajsh dhe para 1 viti me nusen e djalit ai problem. Para 3 muajsh më ka ndodhur me shoqen, sepse shoqja ime është invalid. Mezi se i kemi hipur lart. Andaj këtu nuk ka asnjë lloj suksesi. Tash me të vërtetë është e vështirë por s
kemi çka të bëjmë. Patjetër ta dërgojmë në këmbë. Apeli jonë është që të ketë sadopak interesim. Jo pak por shumë të ketë interesim për ashensorët, për pacientët më shumë që janë të sëmurë dhe invalidë, duhet të kenë kujdes shumë se kështu si është për momentin, është në gjendje katastrofë”.

 

“Kam frikë mos ndalet rryma dhe do mbes në lift sepse e kam zemrën e dobët. Sepse kam hipur në lift njëherë dhe më është ndal lifti. Duhet lifte të reja edhe rryma duhet të jetë stabile. Sepse ndalet energjia do mbes më lift. Do vdes nga frika ”.

 

“Nuk i shfrytëzojmë. Ua lëmë pacientëve më shumë që t’i përdorin. Ne ecim në këmbë”.

 

Udhëheqësit e Spitalit Klinik të Tetovës thonë se nga 12 ashensorë sa ka gjithë spitali, vetëm 5 janë funksional. Ata tregojnë se nga Ministria e Shëndetësisë pritet që të fillojë punët për rregullimin e ashensorëve jofunksional. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se tenderi për ashensorët e Spitalit Klinik të Tetovës ka kaluar dhe se po pritet afati i ankesave. Me të përfunduar kjo, ata premtojnë se menjëherë do të fillojnë punët për rregullimin e 5 ashensorëve jo funksional.

 

Sipas informacioneve tona, kontrata mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe firmës që ka fituar tenderin, parasheh që nga fillimi i punimeve, në afat 1 mujorë të përfundojë prodhimi dhe instalimi i ashensorëve të rinj.

 

Përndryshe, mbi 200 mijë banorë të Tetovës me rrethinë janë pacientë potencial të Spitalit Klinik të Tetovës. Shpesh herë spitali është edhe i mbingarkuar me pacientë për shkak të nevojës së madhe që paraqitet, sidomos në periudhat e virozave.