Vazhdojnë ndeshjet e Ligës së parë të futbollit të Maqedonisë në kuadër të javës së 8. Sonte në program është derbi mes Vardarit dhe Shkëndisë së Haraçinës i cili zhvillohet në kompleksin e FFM-së.
Tribunat do të jenë të zbrazura dhe pa publik për shkak se Vardari është i dënuar.
Ndeshja fillon në orën 20:00, dhe do të jetë përballja e parë mes këtyre dy ekipeve në elitën e futbollit.
Kampioni aktual nuk e pret këtë ndeshje në atmosferën më të mirë. Vardari këtë sezon nuk po luan sipas pritshmërive, ndërsa në xhiron e kaluar humbi mundësinë për të fituar ndaj Bashkimit, duke barazuar 3:3 në transfertë.
Shkëndija e Haraçinës është një nga befasitë më të këndshme në fillim të sezonit dhe aktualisht ndodhet në vendin e katërt në tabelë, me dy pikë më shumë se Vardari.
Haraçinasit hyjnë në këtë ndeshje me vetëbesim të madh, pasi janë në një seri prej katër fitoresh në të gjitha garat.
Pas humbjes në shtëpi nga Arsimi me rezultat 0:2, triumfuan në transfertë ndaj Bashkimit (2:1) dhe Bregallnicës (1:0), ndërsa në Kupën e Maqedonisë fituan ndaj Detonit me rezultat 3:1. Në xhiron e fundit të kampionatit, në shtëpi mposhtën Skopjen me rezultat 1:0.
Ndryshe në ndeshjen e së premtes Shkëndija mundi Bashkimin me rezultat 4:1. Të dielën zhvillohet ndeshja Struga Arsimi, ndërsa java e 8-të mbyllet të hënën me ndeshjen Bregallnica – Skopje.
