Ankohen organizatat për mbrojtje nga HIV! Kërkojnë buxhet më të lartë, qeveria ua shkurtoi për 40%

TË FUNDIT

Organizatat për mbrojtjen nga HIV nuk pajtohen me buxhetin e ndarë për këtë vit nga ana e Qeverisë. Thonë se mjetet janë shkurtuar për 40% dhe vendimin e quajnë të keq dhe të paargumentuar. Me buxhet prej 25.5 milionë denarëve nuk mund të realizohen shërbimet dhe kjo sipas tyre do të sjell në rritjen e infeksioneve nga HIV por edhe vdekshmërinë. Ky buxhet përfshin një spektër më të madh shërbimesh shpjegon Andrej Sehin nga shoqata “Së bashku më të fortë”.

“Kur flasim për këto shërbime, nuk flasim vetëm për HIV, ky është një aspekt qendror shumë i rëndësishëm, por flasim për parandalimin e infeksioneve tjera si ato të gjakut dhe seksuale. Flasim për gjinekolog në zona rurale, e dimë se në vendin tonë ka mungesë dhe qasje të pamjaftueshme të gjinekologëve, e pikërisht këto programe komplekse që tani janë shkurtuar, në fakt ofrojnë spektër të gjerë të shërbimeve për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve”, tha Andrej Senih – Shoqata “Së bashku më të fortë”.

Këto shërbime i shfrytëzojnë rreth 10 mijë qytetarë nga kategori të rrezikuara, ku përfshihen teste të shpejta për detektim të virusit, kontrollet, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, kontrolle në dermatolog dhe gjinekolog, teste PAP në zona rurale, mjete për parandalim e kështu me radhë, tregon Sehin.

“E dimë se me siguri do të rritet numri i të infektuarve me infeksionin HIV si dhe do të rritet numri i rasteve të vdekjes nga HIV, një nga punët më se të rëndësishme është se personat që tashmë janë infektuar nga ky virus nuk do të mund me kohë të diagnostikohen, kjo do ta rrisë epideminë dhe e rrit problemin ndërsa në afat të shkurtë dhe të gjatë do t’i rrisë në mënyrë drastike harxhimet e buxhetit shëndetësor”, pohoi Andrej Senih – Shoqata “Së bashku më të fortë”.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se përkujdesen për të gjithë qytetarët njësoj, por se kriza e krijuar nga COVID-19 ka sjellë në ndrydhjen e buxhetit.

“Kujtojmë se sistemi shëndetësor prej dy vitesh po përballet me gjendjen e jashtëzakonshme me Covid-19. Ministria për çdo vit përgatit një program të veçantë për mbrojtjen e popullatës nga infeksionet HIV, një pjesë e mjeteve për realizimin e aktiviteteve janë nga Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa një pjesë shtesë realizohet në kuadër të buxheteve ekzistuese të institucionet publike shëndetësore. MSH mbështet edhe 20 programe të tjera parandaluese dhe kurative, të cilat po ashtu realizohen me mjete nga Buxheti“, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vitin 2017 është vlerësuar se shuma minimale për shërbimet e tilla që janë obligim i shtetit duhet të jetë 60 milionë denarë. Momentalisht 350 persona po mjekohen nga HIV, por nëse përfshihen edhe ata që nuk janë të vetëdijshëm që janë pozitiv, vlerësimet e shoqatave tregojnë se numri arrin deri në 500 persona. Ky numër parashihet të rritet me uljen e shumës së mjeteve për parandalim.