Prej që ka filluar fushata zgjedhore, partitë politike kanë vazhduar me hapjen e shtabeve zgjedhore. Kryesisht të rinjtë janë ata të cilët qëndrojnë aty, për të pritur dhe për të folur me njerëz të cilët shprehin interes për tu informuar me programet e kandidatëve.
Kushtrim Alla nga Fronti Europian thotë se vazhdimisht bëjnë takime me përfaqësues të ndryshëm me qëllim që të bëhet informimi i qytetarëve në lidhje me zotimet e platformës zgjedhore.
Bashkim Asani nga koalicioni Vlen thotë se strategjia e shtabit është që kandidati për president edhe liderët e koalicionit Vlen të afrohen te qytetari dhe tek vendet ku qëndrojnë qytetarët, dhe të bisedojnë për hallet dhe telashet e tyre.
Gordana Dimitrieska Koçoska nga shtabi i VMRO-DPMNE, i vendosur në rrugën Maqedonia, thotë se pyetjet më të shpeshta nga ana e qytetarëve, janë se “a do të ketë drejtësi në vendin tonë”.
Përballë shtabit të VMRO-së, vetëm disa metra larg është edhe shtabi i LSDM-së, por nga aty nuk deshi të flet asnjëri në lidhje me aktivitetet e tyre.
