Afaristët e Qendrës Tregtare protestojnë para Qeverisë: “Orëmatësit nga koha e Titos, paguajmë fatura joreale”

TË FUNDIT

Pronarët e bizneseve të Qendrën Tregtare të Shkupit bllokuan rrugën përpara Qeverisë. Përmes protestës kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemeve të shumta në qendër tregtare dhe zbatimin e legjislacionit. Thonë se tre vite kanë alarmuar për udhëheqjen joekonomike të “Sh.A QTQ”, duke paguar fatura paushalle për rrymën dhe për shërbime tjera, gjë që është në dëm të pronës së tyre dhe pronës së shtetit.


“Kërkojmë që të ndryshohen marrëveshjet, kërkojmë kyçje direkte të energjisë elektrike, kyçje direkte me energji termike, për shërbime të ujit dhe higjienë komunale, në kuadër të ligjit për zgjidhje sistematike. Për mirëmbajtjen gjithashtu kërkojmë udhëheqës të licencuar, që të paguajnë të gjithë, domethënë në rastin tonë 472 dyqane paguajnë për të gjithë QTQ-në, ndërsa 116 që janë në pronësi të shtetit nuk kemi pagesa nga ta nga viti ’97”, tha Emil Joshkovski, pronar dyqani.

Protestuesit kërkojnë marrëveshje të drejtpërdrejta për furnizim me furnizues të licencuar të energjisë elektrike, menaxhim i përbashkët nga të gjithë pronarët e objekteve afariste në QTQ, kontrata për ngrohje qendrore me furnizues të licencuar dhe ngrohja e kontrolluar nga organi i përbashkët administrues në QPT.

“Orëmatësit tanë në QTQ janë nga koha e Titos të ish-Jugosllavisë dhe nuk janë ndërruar, ne nuk kemi qasje për të parë se si duken orëmatësit tanë. Komisioni Rregullator kërkon nga EVN-ja që të na mundësojë lexim të orëmatësve tanë, ne asnjëherë nuk e dimë kush dhe si i lexon orëmatësit. Në vitin 2021 dallimi mes çmimit të blerjes dhe atij shitës të energjisë elektrike është maksimalisht 300%, maksimale”, deklaroi Ivan Aleksov, pronar dyqani në QTQ.

Askush nga Qeveria nuk i pranoi sot në takim afaristët, por u thanë se do t’i ftojnë.

Përndryshe, në nëntor të vitit të kaluar gazetarët hynë në bodrumin e Qendrës Tregtare të Qytetit ku zbuluan pajisje për gërmim të kriptomonedhave. Dyqanxhinjtë akuzuan se vidhej rryma, kurse pastaj ata paguajnë fatura të larta. TV21 disa herë ka raportuar për problemin e bizneseve në QTQ të cilët paguajnë fatura paushalle.