Kontroll i shtuar dhe rregulla të rrepta për kazinotë parashikon ligji i ri për lojërat e fatit, i cili me 59 vota pro dhe 9 kundër u miratua dje vonë pasdite në seancën parlamentare. Në të ardhmen, kazinotë nuk do të lejohen të jenë në afërsi prej së paku 500 metrash nga shkollat, gjë që synon të kontribuojë në mbrojtjen e të rinjve nga ndikimi i lojërave të fatit. Në këtë kontekst ndalohet pjesëmarrja e personave nën 18 vjeç, për çka do të duhet të ketë paralajmërim të qartë se ndalohet pjesëmarrja e të miturve në lojërat e fatit.
LIGJI PËR LOJËRAT E FATIT
“Personat nën 18 vjeç nuk mund të marrin pjesë në lojërat e fatit. Organizatori i lojërave të fatit në kazino, në hapësira ku organizohet tombola e mbyllur, në bastore dhe në klube automatike është i detyruar që në derën hyrëse të objektit ku organizohen lojërat e fatit të vendosë shenjë me përmbajtje: “Ndalohet hyrja për persona nën moshën 18 vjeç”.
Risi është edhe detyrimi që të gjitha aparatet dhe terminalet elektronike të jenë të lidhura me sistem GPS, i cili do t’i mundësojë Administratës së të Ardhurave Publike të ndjekë lokacionin e tyre dhe të parandalojë vendosjen e paligjshme. Gjithashtu shtrëngohet ndjeshëm edhe mënyra e reklamimit të tyre. Ndalohet reklama në vitrinat e kazinove, si dhe paraqitja e tyre si mënyrë për pasurim të shpejtë.
LIGJI PËR LOJËRAT E FATIT
Ndalohet reklamimi ose pjesëmarrja në reklamim në çdo mënyrë:
“Me të cilin lojërat e fatit në internet promovohen si mënyrë për pranim social, për arritje të suksesit personal ose financiar, apo për zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale ose personale;
-Me të cilin jepen rekomandime nga persona të njohur që sugjerojnë se lojërat e fatit në internet kanë kontribuar në suksesin e tyre;
-Që është veçanërisht i drejtuar për të nxitur të miturit të përfshihen në lojërat e fatit në internet”.
Masat më të rrepta të parashikuara në ligj kanë hasur reagime nga Asociacioni i Bastoreve Sportive në Maqedoni dhe Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit, të cilët kanë kërkuar që deputetët ta refuzojnë këtë zgjidhje ligjore, pasi, sipas tyre, hap derën e ekonomisë gri dhe do të lërë pa punë mbi 10 mijë persona të punësuar në objekte legale.
