LSDM: Qendra e re Klinike është vetëm një gënjeshtër! VMRO-DPMNE: Filipçe premtoi më parë, por nuk e realizoi

TË FUNDIT

Qendra e re Klinike, të cilën kryeministri Hristijan Mickoski e paralajmëroi këto ditë, ka përplasur LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Për opozitarët, ky projekt është edhe një nga gënjeshtrat e kryeministrit, pasi sipas tyre, në kohën kur LSDM kishte propozuar ndërtimin e Qendrës së re Klinike, VMRO-DPMNE e kishte bllokuar në Kuvend, ndërsa tani po premtojnë ndërtim të ri, për të cilin sipas tyre ka shumë çështje të hapura.

“Lokacioni që po paralajmërohet është plotësisht i papërshtatshëm për ndërtimin e një objekti kaq të madh dhe kompleks shëndetësor. Për më tepër, në afërsi të këtij segmenti tashmë janë planifikuar edhe ndërhyrje të tjera të mëdha infrastrukturore, mes të cilave edhe ndërtesa e re e Agjencisë për Siguri Kombëtare në tokë shtetërore. Kjo do të thotë se hapësira nuk mund të përballojë kaq shumë objekte infrastrukturore. Po ashtu, shtrohet pyetja serioze se sipas cilit ligj, në çfarë procedure dhe mbi bazën e cilës vendim, Qeveria po negocion drejtpërdrejt me pronarë privatë për dhënien e tokës”, tha Renata Mladenovska nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE u përgjigjën se pikërisht Filipçe, kur ka qenë ministër i shëndetësisë, ka premtuar një kompleks të ri modern shëndetësor, por ka lënë një sistem shëndetësor të rrënuar dhe dyshime për korrupsion.


“Me LSDM-në dhe Filipçen, qytetarët nuk morën Qendër të re Klinike, nuk morën shëndetësi më të mirë dhe as kushte më të mira për trajtim. Për Qendrën e re Klinike po shqyrtohet lokacioni pranë pishinës “Boris Trajkovski”, i cili së bashku me “8 Shtatorin” dhe Poliklinikën “Bukuresht” do të formonin një kompleks të plotë. Ai lokacion është pranë dy bulevardeve, ka qasje në gaz dhe është afër unazës”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Kryeministri Mickoski ditë më parë njoftoi se planifikohet ndërtimi i Qendrës së re Klinike pranë Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” dhe se nëse gjithçka shkon si duhet, ndërtimi mund të fillojë vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai theksoi se problem mbetet fakti që lokacioni është pronë private, por se janë në fazë negociatash me pronarin.